Analisti dhe gazetari Mustafa Nano thotë se kryeministri Rama i ka hapur rrugë zhvendosjes në Tiranë të një konflikti të botës turke. Në një intervistë në TvT, i pyetur lidhur me nisjen e hetimit pasuror për kolegjin “Turgut Ozal”, të cilin Ankaraja e rendit në aktivitetet e organizatës FETO, Nano tha se ndryshe nga liderë të vendeve të tjera, Rama nuk ka gjetur forcën për ta kundërshtuar presidentin turk.
“Ne e njohim marrëdhënien Rama-Erdogan, por Rama duhet të bëjë çmos të mos përcjellë konflikte të botës turke në Tiranë. Ai nuk ka bërë asnjë përpjekje në këtë mes. Ai ka bërë çmos të marrë me të mirë tekat e Erdoganit. Loja mes shkollave të Erdoganit dhe Gylenit po vazhdon. Është një lojë që ka dashur Erdogani ta bëjë në Tiranë dhe po e bën. Liderët e tjerë i kanë thënë Erdoganit që nuk kemi asnjë fakt që ky njeri që ti akuzon ka bërë krime. Loja e Ramës është e gabuar. Ai duhet të gjejë forcë për t’i thënë Erdoganit të kam mik, por deri këtu mos më kërko”, tha ai.



