Agjensia e Ushqimit e Kombeve të Bashkuara tha të mërkurën se duheshin 130 milionë dollarë për të financuar operacionet e urgjencës në Zimbabve deri në gusht dhe për të parandaluar një katastrofë në vendin e Afrikës së Jugut, pasi mungesa e ushqimit e shkaktuar nga klima dhe recesioni sa vjen e thellohet.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha se 7.7 milionë banorë të Zimbabves, rreth gjysma e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë ushqimore pas thatësirës dhe ciklonit shkatërrues që ndodhën vitin e kaluar. Mungesa e shirave të sivjetshëm ka prekur të lashtat, duke e komplikuar situatën.
Pandemia e koronavirusit është gjithashtu një presion i shtuar. Zimbabve ka regjistruar vetëm tre vdekje dhe 11 raste, por ekonomistët parashikojnë gjendje të rënduar me atë që pritet të shkaktojë pandemia në ekonominë globale.



