Presidenti Donald Trump ka deklaruar se udhëzimet për parandalimin e koronavirusit do të shtrihen të paktën deri në 30 prill.
Më parë, Trump kishte thënë se masat kufizuese do të ishin deri për Pashkë.
"Piku më i lartë i vdekjeve ka të ngjarë të ndodhë brenda dy javësh," tha Trump.
Ai, me gjasë po i referohej pikut të infeksionit që sipas specialistëve mund të hidhte në kolaps sistemin shëndetësor.
Ndërkohë këshilltari i shëndetësisë në Shtëpinë e Bardhë ka paralajmëruar se koronavirusi mund të vrasë deri në 200 mijë amerikanë.
Dr.Anthony Fauci tha se është "krejtësisht e mundshme" që miliona amerikanë të infektohehen nga virusi i ri.
SHBA, ka regjistruar më shumë se 140 mijë raste të konfirmuara me Covid-19.
Duke filluar nga e diela në darkë, janë regjistruar 2 mijë e 493 viktima për shkak të Covid-19, sipas të dhënave të raportuara nga Universiteti Johns Hopkins.
SHBA, deri tani ka kaluar Kinën dhe Italinë për numrin e të prekurve me koronavirus.
Çfarë tha Trump?
Gjatë konferencës për shtyp të Task Forcës për koronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se masa të tilla si distancimi fizik është mënyra e vetma për të fituar, ndërsa shtoi se SHBA “do të jetë në rrugën e duhur për të rikuperuar gjithçka”, deri në qershor.
Ai tha se numri më i madh i viktimave në SHBA si pasojë e Covid-19, me gjasë mund të shënohet brenda dy javësh.
Sipas tij, asgjë nuk do të ishte më e keqe sesa shpallja e fitores, para se të fitohej lufta. Për Trump, kjo do të ishte humbja më e madhe për të gjithë.
Analistët mendojnë se kur Presidenti i referohej një kulmi për “numrin e viktimave”, ai me siguri po nënkuptonte numrin e përgjithshëm të të infektuarve që ishin raportuar./BBC



