Pas denoncimit të bërë në emisionin Xhadat në MCN TV, ku u dokumentua se Bashkia Tiranë kishte ndërtuar një trotuar mbi një pronë private me certifikatë pronësie, ndërkohë që procedura e shpronësimit nuk kishte përfunduar ende, historia e qytetarit Kadri Demneri ka marrë një tjetër zhvillim.
Demneri ka marrë një shkresë të re nga Bashkia e Tiranës, të përcjellë nga Agjencia Shtetërore për Shpronësim, ku i komunikohet vlera paraprake e dëmshpërblimit për sipërfaqen që do të shpronësohet. Sipas dokumentit, prona është llogaritur në 7.8 metra katrorë, me një vlerë totale prej 522,358 lekësh, ose rreth 5.2 milionë lekë të vjetra.
Por qytetari e kundërshton këtë përllogaritje. Gjatë verifikimeve në terren të kryera nga gazetari, Ersid Karaj dhe z. Kadri Demneri, rezultoi se sipërfaqja e zënë nga trotuari është rreth 13.5 metra katrorë, çka sipas tij ndryshon ndjeshëm edhe vlerën e dëmshpërblimit.
Për këtë arsye, Demneri ka paraqitur një ankesë, duke kërkuar rishikimin e matjeve dhe të vlerësimit paraprak të shpronësimit. Në përpjekje për të ndjekur procedurën, gazetari dhe qytetari u drejtuan fillimisht në Bashkinë e Tiranës, ku u orientuan të depozitonin ankesën pranë zyrës së ankesave në zonën e "21 Dhjetorit" dhe më pas ta paraqisnin edhe pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësim.
Megjithatë, procesi u shoqërua me një tjetër problem. Agjencia Shtetërore për Shpronësim kishte ndryshuar adresë prej disa muajsh, ndërsa adresa e publikuar në faqen zyrtare rezultonte ende e pavlefshme. Edhe pas informacioneve të marra në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ekipi i Xhadat dhe qytetari kaluan disa orë duke kërkuar institucionin, derisa arritën ta gjenin në një tjetër godinë.
Pas dorëzimit të ankesës, një përfaqësuese e Agjencisë u shpjegoi se shkresa e dërguar është vetëm një vlerësim paraprak, i cili mund të ankimohet nga çdo pronar. Sipas saj, pretendimet do të shqyrtohen në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe më pas qytetarit do t'i kthehet një përgjigje zyrtare.
Ndërsa procedura vijon, mbetet për t'u parë nëse institucioni do të pranojë rivlerësimin e sipërfaqes së shpronësimit dhe nëse dëmshpërblimi do të ndryshojë në përputhje me matjet që pretendon qytetari.



