Kreu demokrat Lulzim Basha përmes një reagimi, ia ka numëruar akuzat kreut të qeverisë Edi Rama, duke theksuar se qytetarët meritojnë një qeveri normale dhe jo një grusht oligarkësh.
Basha shkruan se personeli shëndetësor në Shqipëri është me pagat më të ulëta në Europë, ndërsa sipas tij Rama nuk rriti pagat në 7 vjet qeverisje.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha sot se në qeverisjen e PD-së do të rriten pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët.
“Në Shqipëri, sistemi shëndetësor publik vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, investimeve në infrastrukturë dhe pajisjeve mjekësore. Qytetarët duhet të presin orë e ditë të tëra në radhë për të marrë shërbimin bazë. Mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Si rrjedhojë e largimeve masive të stafit mjekësor gjatë viteve të fundit, zona të tëra në Shqipëri janë pa mjekë dhe pa shërbim për qytetarët”, tha Basha.
Duke iu referuar të dhënave të Observatorit Global të Shëndetit, Basha tha se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë. Ndërkohë, sipas tij, Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.
“Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ekonomike në Vjenë, mjekët në Shqipëri paguhen mesatarisht 435 euro, që është dhe paga më e ulët në rajon.Mjekët paguhen më shumë në Bosnjë (901 euro) dhe Mal të Zi (833 euro), ndërsa në Serbi e Maqedoni me mbi 700 euro. Vitin e kaluar, edhe Kosova i rriti ndjeshëm pagat e personelit shëndetësor, me synim ndalimin e largimit të bluzave të bardha. Mjekët specialistë paguhen 1195 euro (nga 661 euro më parë), mjeku i përgjithshëm 836 euro (nga 566), kryeinfermierët 621 euro (nga 472) dhe infermierët e parë 537 euro (nga 425 më parë)”, tha Basha.
Personeli shëndetësor në Shqipëri, sipas tij, ka nevojë të menjëhershme për mbështetje.
“Në planin tonë ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur specializimet për mjekët e rinj në mënyrë që të rrisim kapacitetet. Do të rrisim pagat e mjekëve deri në 1200 euro dhe 700 euro për infermierët. Do të mbështesim dhe stimulojmë mjekët që të shërbejnë në zona të ndryshme të vendit ku mungon tërësisht apo pjesërisht personeli shëndetësor. Do të rrisim investimet për aparatura moderne të qendrave shëndetësore dhe spitaleve. Do të anulojmë koncensionet korruptive dhe do të çojmë para ligjit ata që abuzuan me paratë e shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri normale, që punon për ta dhe jo për një grusht oligarkësh”, theksi Basha.



