
Rusia dhe Argjentina kanë përdorur një krematorium në Buenos Aires për të djegur 389 kg kokainë të sekuestruar gjatë një operacioni antidrogë në ambasadën ruse.
Sasia e kokainës së shkatërruar përllogaritej të kapte vlerën e 80 mln eurove.
Një ish-kujdestar i ambasadës dhe një polic argjentinas janë mes 6 personave të prangosur në të dyja vendet. Djegia e drogës i jep fund kështu një operacioni tejet të gjatë policor, që gjithsesi nuk i bën përshtypje asnjë trafikanti.
Në vitin 2016, ish-ambasadori rus njoftoi zyrtarët argjentinas për 12 valixhe të gjetura të fshehura në një paradhomë të Ambasadës. Problemi në fakt ishte se ato ishin të mbushura me drogë.
Policia argjentinase mundi të hynte në paradhomë nëpërmjet një çelësi të Ambasadës në kulmin e natës dhe e zëvendësoi kokainën me miell. Ata i vendosën gjithashtu “GPS” valixheve, për t’i gjurmuar se ku do të shkonin.
Plani që kishin në mendje ishte që të prisnin të zotët të vinin e t’i merrnin valixhet, sigurisht për t’i arrestuar, shkruan BBC.
Por, policisë iu desh një pritje tejet e gjatë, sipas asaj që shpjegon ministrja argjentinase e Sigurisë, Patricia Bullrich.
“Operacioni zgjati 14 muaj dhe në një moment menduam se askush nuk do të vinte të merrte ngarkesën. Menduam gjithashtu se ata kishin kuptuar që dikush ishte vënë në shënjestër. Por, fatmirësisht gjithçka shkoi mirë”, citohet të ketë thënë ajo nga agjencia ruse e lajmeve “Tass”.
Por një vit më vonë, rastet arritën në Moskë dhe u pasuan arrestime. Është ende e paqartë se pse të dyshuarit kanë pritur kaq shumë kohë për të lëvizur drogën.
Ambasadori rus Dmitri Feoktistov dhe zonja Bullrich morën pjesë në djegien të martën.

Kreu i dyshuar i rrjetit të trafikut ishte Andrei Kovalchuk, i cili u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në Rusi gjatë korrikut. Mediet ruse kanë zbuluar edhe emrat e të akuzuarve të tjerë: rusët Vladimir Kalmykov, Ishtimir Khudzhamov dhe Ali Abyanov.



