Analisti Mentor Kikia, për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, thotë se nuk ka rëndësi se kush do ti fitojë, pasi mandati është 1 vjeçar për pushtetin vendor dhe pa fuqi, pasi buxhetet janë të miratuara tashmë.
Duke folur në studione e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se zgjedhjet nuk do të sjellin asnjë ndryshim, duke shtuar se në radhët e demokratëve, vota do të ndahet dhe mes dy grupimeve, atij të Berishës dhe atij të Bashës, gara është për vendin e dytë dhe të tretë.
“Kryetarët e bashkive do të jenë honorifik, pasi Këshilli Bashkiak nuk do të ndryshojë. Këto zgjedhje do të jenë honorifike, për të kuptuar nëse socialistët kanë ende kapacitet për të kërkuar një mandat tjetër qeverisës. Në kampin opozitar zgjedhjet janë ende më të rëndësishme, pasi dy grupet nuk e dinë ende se kush është shumicë, grupi i Berishës, apo i Bashës. Të dielën do të ketë mundësi për të kuptuar se cili nga këto dy grupime do të jetë më i madhi”.
Kikia shtoi se në dy grupimet e Partisë Demokratike, është luftuar për të kuptuar se kush do e ketë shumicën, teksa nënvizoi se PD do të vijojë të jetë në treg si parti opozitare edhe me 20% të votave.
Lidhur me kandidatët e Sali Berisha, Kikia tha se përveç Shkodrës, nuk pret fitore në bashki tjetër.
“Berisha dhe Basha, më shumë se sa me socialistët e kanë me njeri-tjetrin. Luftohet për vendin e dytë, jo për vendin e parë. Mes të dyve, fituesi do të jetë i dyti, humbësi do të jetë i treti. Asnjëri nuk do të largohet”.



