Në Bruksel vijojnë bisedimet Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, tha se nuk pritet rezultat konkret për çështjen e asociacionit.
Nuk besoj se do të ketë një rezultat konkret për projektin e asociacionit. Drafti që pala serbe do të vërë në tavolinë nuk mendohet të jetë i ekuilibruar, por i njëanshëm.
Pala serbe është e detyruar ta zbatojë marrëveshjen, pasi ka fakte konkrete për përgjegjësinë e Milloshevicit në gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Janë serbët ata që kanë kryer krime masive çnjerëzore në Kosovë. Thembra e Akilit është asociacioni, do të hidhet në tavolinë. Kurti e ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë, nuk do të miratohet.
Ky sot është fillimi i një seriali të gjatë dhe të vështirë të bisedimeve për krijimin e asociacionit.
Besoj se do të qëndrojnë, jo vetëm ata por edhe partitë politike duhet të afrojnë qëndrimet e tyre, në mënyrë që të miratohet një qëndrim kombëtar. Në këtë mënyrë do të jenë në pozita më të forta negociuese.
Milo tha më tej se BE dhe SHBA nuk do t’u lënë shumë hapësirë Serbisë dhe Kosovës në momentin që do të ngecin.
Kurtit nga ana e SHBA i është dhënë garanci se nuk do të ketë Serbska Republikë në Kosovë. Kjo do të cenonte integritetin territorial të Kosovës, për të cilin SHBA-të kanë investuar kaq shumë. Procesi duke qenë se e kanë marrë në dorë SHBA dhe BE do ta menaxhojnë me shumë kujdes, do ta udhëheqin vetë procesin. Nuk do t’u lënë shumë hapësirë Serbisë dhe Kosovës në momentin që do të ngecin.



