
Pas incidenteve në Veri ka reaguar NATO, duke u bërë thirrje institucioneve të Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Kujtojmë që 5 oficerë të Policisë së Kosovës mbetën të lënduar si pasojë e dhunës, ndërsa u dëmtuan edhe 4 automjete. Kryetarët e rinj të tri komunave në Veri të Kosovës, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin-Potok, kanë mundur të hyjnë në orët e pasdites në godinat komunale, mes trazirave të dhunshme.
U desh ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të larguar barrikadat e vendosura nga serbët para godinave komunale. Qytetarët serb hodhën në drejtim të “bluve” shok bomba, gaz lotsjellës, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna armësh.



