
Gjurmimi i telefonave të të afërmve të Arbër Çekajt, identifikoi vendodhjen e të kërkuarit dhe çoi policinë gjermane në vendin ku strehohej 42-vjeçari me origjinë nga Tropoja.
Burime të Njësisë së Task- Forcës në Policinë e Shtetit thanë se Çekaj ra në grackë 20 ditë më parë, pas një thirrjeje që kishte bërë nga rrjetet sociale drejt familjes.Fakti që pronari i Arbri Garden kishte mbetur larg gjurmëve të policisë, i dedikohet ndërrimit të shpeshtë të numrave të telefonit, me të cilët fliste me bashkëshorten, ndërsa në mes të prillit ishte policia shqiptare, e cila po përgjonte familjen e tij në kryeqytet, që i çoi të dhënat e kësaj telefonate tek autoritetet gjermane.
Pikërisht ky “gabim” bëri që të arrestohej pronari tropojan,në magazinën e të cilit u kapën në flagrancë 613 kg kokainë. Në arrati, Cekaj kishte lëvizur në Gjermani dhe Holandë,duke përdorur mbiemrin e bashkëshortes Jansen, por edhe me emrin Fasli Çekaj. Tek autoritetet gjermane tashmë ka mbërritur edhe dosja e Arbër Çekajt dhe pritet që procedura e ekstradimit të zgjasë 40 ditë.



