Agjencia amerikane për sigurinë kibernetike dhe të infrastrukturës, CISA, tha se hakerë të mbështetur nga qeveria ruse shfrytëzuan qasjen e tyre tek sistemi i emaileve të programit Microsoft për të vjedhur letërkëmbimet midis zyrtarëve dhe gjigandit të teknologjisë, thuhet në një direktivë emergjente që u bë publike të enjten.
Në direktivën që mban datën 2 prill, agjencia paralajmëron se hakerët po shfrytëzonin detajet e njëjtësimit që ndahen me email në përpjekje për të penetruar në sistemet e klientëve të Microsoftit, përfshirë një numër të paspecifikuar agjencish qeveritare.
CISA nuk pranoi të thoshte se cilat agjenci qeveritare ishin prekur. Kompania Microsoft nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Organizata të tjera mund të jenë ndikuar gjithashtu nga penetrimi në emailat e korporatës Microsoft”, tha CISA, duke inkurajuar klientët që të kontaktojnë firmën Microsoft për detaje të mëtejshme.
Drejtoresha e CISA Jen Easterly tha se veprimet e menjëhershme të kërkuara nga direktiva janë të dizajnuara për të "ulur rrezikun ndaj sistemeve tona federale".
Microsoft është ende i tronditur nga një raport i ashpër i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të lëshuar javën e kaluar që kritikoi kompaninë jo vetëm për dështimin në mbrojtjen e duhur të sistemeve të përdorura gjerësisht nga qeveria amerikane, por edhe për refuzimin për të ofruar informacione të caktuara për agjencitë federale që kishin informacione të vjedhura.
Raporti përmend vjedhjen ruse të emailit si një shembull tjetër i nevojës që Microsoft të bëjë ndryshime me shumicë në aparatin e tij të sigurisë.



