
Për herë të parë, shkencëtarët kanë konstatuar një reduktim të konsiderueshëm të vrimës së ozonit. Kjo e fundit është tashmë 20% më e vogël në Antarktidë, falë reduktimit të përdorimit të klorit dhe kimikateve me bazë klorin, të cilat u ndaluan me Protokollin e Montrealit në vitin 1987. Në atë kohë, kjo marrëveshje pati si synim reduktimin e substancave që kërcënojnë shtresën e ozonit. Ajo hyri në fuqi një vit pas firmosjes.
Deri në atë kohë, të ashtuquajturat kloroflorokarbure përdoreshin te sistemet e ftohjes si” frigoriferë, ngrirës, kondicionerë etj., dhe ishin konsideruar përgjegjëse për reduktimin e shtresës së ozonit në nivele alarmante.
Mbi bazën e vëzhgimeve të kryera nga sateliti Aura në orbitë që prej vitit 2004, shkencëtarët e Goddard Space Flight Center kanë monitoruar muajt e dimrit në Antarktidë nga viti 2005 deri në vitin 2016 dhe kanë zbuluar se reduktimi i klorit ka bërë të mundur riparimin e shtresës së ozonit në masën 20%. / ANSA / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



