Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë që të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin si dhe të urdhërojë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish, si call centerat apo fasoneritë.
Për kreun e opozitës, qeveria duhet të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ndërkohë që ka kërkuar që të merret si masë mbyllja e bizneseve me prani të madhe punonjësish.
Basha në video-mesazhin e tij ka kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë vetëizolimin dhe distancimin social, si e vetmja mënyrë për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.
“Të dashur qytetarë!
Sot është koha që të gjithë të bashku të bëjmë cfarë të mundemi për të ndaluar koronavirusin. Të gjithë kemi një armë të fuqishme në duart tona dhe ky është distancimi social. Përmes ruajtjes së rregullave të distancës edhe kur ne dalim nga shtëpia për të kryer nevojat e domosdoshme të ditës, ne mund dhe do ta ngadalësojmë virusin.
Nga ana tjetër dua t’i bëj thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Dua po kështu ti bëj thirrje qeverisë të urdhërojë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call centerat apo të tjera fabrika prodhimi ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e viriusit dhe kthimin e tyre në bartës dhe të infektuar të virozës”, ka thënë Basha.



