Konfuzionin që shkaktoi njoftimi i Bankës së Shqipërisë lidhur me shtyrjen e afatit të kredive, gazetari Klodian Tomorri e sheh si mënyrën sesi nuk duhet të sillet një institucion i rëndësishëm. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se deklarata të tilla krijojnë pasiguri te qytetarët.
“Do të thoja që ajo çfarë ndodhi me Bankën e Shqipërisë, me lajmërimin e një mase që më pas rezultoi se nuk ishte siç u tha në fillim, është mënyra se si nuk duhet të sillet një institucion, aq më tepër një bankë qendrore. Bankat Qendrore, sidomos në raste krizash, flasin me gjuhë të qartë dhe vendime të prera, me qëllim që të përcjellin siguri te qytetarët. Nëse del me deklarata të tilla, që më vonë kuptohet se nuk janë ashtu siç ishin thënë, atëherë kjo krijon efektin e kundërt”, tha Tomorri.
Krijimi i mundësive për marrëveshje mes bankës kredidhënëse dhe kredimarrësit që nuk ka mundësi të paguajë në këtë situatë, për Tomorrin është një masë pozitive, megjithatë e pamjaftueshme. Sipas tij, Banka Qendrore ka më shumë kapacitet se kaq për të ndihmuar dhe kjo është më e domosdoshme se asnjëherë tjetër.
“Unë mendoj që është një masë, e cila është në hapin e duhur për ato biznese ose individë që mund të përfitojnë në bashkëpunim apo me dakordësinë e bankave, por është e pamjaftueshme. BSH ka shumë arsenal për të përdour dhe tani është momenti. Në vendet e zhvilluara, bankat po ulin normën bazë të interesit që ta bëjnë paranë sa më të lirë në treg në këtë situatë karantine. E vetmja bankë qendrore që gaboi ishte BQE, deklarata e Christine Lagarde, e cila tha se nuk jemi këtu për të përmbajtur epideminë e virusit dhe tregjet shkuan në tilt, bursat përjetuan humbje. Bankat Qendrore duhet të jenë shumë të kujdesshme, sepse vendimet që ato marrin kanë impakt të jashtëzakonshëm në publik. Duhet gjuhë e qartë, të mos ketë keqkuptime”, tha ai.
Sipas Tomorrit, totali i stokut të kredisë në Shqipëri është rreth 550 miliardë lekë, ose 4.8 miliardë euro.
“Kaq kredi kanë dhënë bankat për biznesin dhe individët. Sa kredi maturohet në këtë periudhë tremujore, këto janë të dhëna që nuk dalin në publik. ne mund të përdorim disa të dhëna të përafërta që mund të vlerësojmë impaktin. Bankat arkëtojnë 42 miliardë lekë në vit nga interesat dhe shlyerja e principaleve. Bëhet fjalë për një shifër që në një tremujor shkon në 100 milionë euro”.
Mundësinë e faljes së komisioneve deri në fund të këtij viti, Tomorri e sheh si një opsion të vlefshëm, por që duhet të fokusohet vetëm te ata që janë realisht të prekur nga ngërçi që shkaktuar epidemia.
“Është një situatë që ndryshon vazhdimisht, është në dinamikë. Po shohim edhe vendimet e qeverisë. Situata ndryshon në varësi të përhapjes së epidemisë. Mund të ishte masë e duhur, por vetëm nëse aplikohet te bizneset që janë prekur nga kjo situatë. Te bizneset që vijojnë punën nuk ka pse të aplikohet një lëshim i tillë”, tha ai.
Një ditë më parë, kryeministri Rama u kërkoi qytetarëve të mos shpenzojnë shumë në këtë situatë. Por për gazetarin Tomorri, një kërkesë e tillë është e pavend, përsa kohë që në Shqipëri, vetëm një numër i vogël familjesh mund t’i lejojnë vetes shpenzime që shkojnë përtej nivelit të mbijetesës.
“Është situatë serioze, por nuk mendoj se familjet shqiptare kanë hapësirë për të ulur konsum. Konsumi në Shqipëri është në prag mbijetese. Ne nuk kemi një nivel mirëqenieje ku familjet shpenzojnë përtej nevojave bazë. Janë vetëm një pjesë e vogël e familjeve që mund t’i lejojnë vetes të shpenzojnë përtej nevojave bazë. Nuk mendoj që kanë hapësirë familjet të ulin konsumin më shumë se konsumi i tyre normal. Nuk besoj se ekonomia mund të fitojë ndonjë gjë nëse shqiptarët ulin konsumin”, tha ai.



