Radovan Karadžić i dënuar për krime lufte në Bosnjë dhe për masakrën e Srebrenicës ka paditur se fundmi qeverinë britanike për kushte çnjerëzore në burgun ku ai po kryen dënimin e përjetshëm. Ai kërkon 50 mijë paund dëmshpërblim për shkelje të drejtave të njeriut.
I njohur si kasapi i Bosnjës, krimineli Radovan Karadžić ka paditur qeverinë britanike për trajtim çnjerëzor pasi nuk i lejohet laptopi në qelinë e burgut.
79-vjeçari i cili po vuan dënimin e përjetshëm në burgun Albany për krime lufte në Srebrenicë, kërkon 50 mijë paunde për shkelje të të drejtave të njeriut ndërsa pretendon edhe se i është ndaluar të komunikojë në gjuhën serbe.
Përmes një video online ai paditi në gjykatë Sekretaren e Shtetit për Drejtësinë Shabana Mahmood
Akuzat ndaj qeverisë britanike janë hedhur me herët në vitin 2021 edhe nga vajza e tij Sonja Karadžić e cila tha se babai i saj është duke u mbajtur në një burg në kushte të papërshtatshme.
“Ai është duke u mbajtur në një ndërtesë plot me asbest kancerogjen, që është ndaluar në të gjithë botën. Kjo tregon qartë se si ai po trajtohet. Zhvendosja e tij në jug të Anglisë u bë me qëllim për të mbajtur larg familjes, por kjo është në shkelje të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara”, shprehej vajza e tij, duke shtuar se atij i kanë hequr librat dhe kompjuterin, si dhe nuk është lejuar të fliste në serbisht.”
Radovan Karadžić u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rrethimin 44-mujor serb të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë dhe për mbikëqyrjen e një fushate të spastrimit etnik që dëboi kroatët dhe myslimanët nga zonat e pretenduara nga serbët e Bosnjës.
Në vitin 2016, Karadžić u shpall fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës nga gjykatësit e Tribunalit për Krimet e Luftës në Hagë.
Çështja e tij konsiderohet si kryesore në dhënien e drejtësisë për viktimat e konfliktit, i cili la më shumë se 100,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë.



