
Biznesmeni Kujtim Ferracaku, 59 vjeç mbeti i vrarë gjatë konfliktit me armë pas mesnatës së kaluar në Velipojë. Ferracaku ishte pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë, teksa i plagosur ka mbetur dhe vëllai i tij Hasani.
Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, 31-vjeçarit i cili u gjet i vrarë më 1 shtator 2018 në zonën e Livadhes në periferi të Shkodrës. Familja e tij kishte dhe biznese të tjera në Shkodër dhe Velipojë.
Në shtator vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku mbi kalë në Shkodër, tronditi jo pak të gjithë kryeqendrën e veriut në atë periudhë. Dy persona qëlluan me automatik. Sipas aktit të ekspertimit aktorët kanë qëlluar plot 24 herë, por vetëm katër plumba kanë prekur trupin e viktimës. Babai i dy fëmijëve të mitur, biznesmen i njohur në Shkodër dhe Velipojë është vrarë me breshëri kallashnikovi teksa po kalëronte me dy miqtë e tij. Familja Ferracaku njihet në Shkodër me reputacion të mirë, dhe jo konfliktualë.
Ndërkohë nga konflikti i mbrëmshëm ka mbetur i plagosur dhe Hasan Ferracaku, vëllai i Kujtimit dhe xhaxhai i Arjanit, që sipas policisë së bashku me Elmilind Dylin, 17 vjeç, gjithashtu i plagosur dyshohen si autorë të përfshirë në konfliktin e armatosur.
Shkak për vrasjen u bë konflikti për vendosjen e shezllonëve në hapësirat e dy hoteleve që janë të vendosur 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.



