Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur. Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.
I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”. Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.
Kryeministri irlandez, Simon Harris dhe ai spanjoll, Pedro Sanchez në një deklaratë të mërkurën thanë se do të njohin shtetin palestinez.
“Ne do ta njohim Palestinën për shumë arsye dhe mund ta përmbledhim me tre fjalë, paqe, drejtësi dhe qëndrueshmëri”, tha Pedro Sanchez.
“Ne duhet të sigurohemi që zgjidhja me dy shtete të respektohet dhe të ketë garanci reciproke të sigurisë. Është thelbësore që të dyja palët të negociojnë për paqen dhe është për këtë arsye që ne e njohim Palestinën”.
“Kjo njohje nuk është kundër Izraelit, nuk është kundër hebrenjve. Nuk është në favor të Hamasit që është diçka që është thënë. Kjo njohje nuk është kundër askujt, është në favor të paqes dhe bashkëjetesës”, theksoi kryeministri spanjoll.
Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda. Këto tre vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën.
Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.



