
Eksperti i energjisë, inxhinieri Azmer Duleviç, për TEC-et lundruese në Vlorë, ku anijet e mbërritura nga Bangladeshi “Tigri 1” dhe “Tigri 2” prej shtatorit janë ankoruar në zonën e Triportit, por nuk janë vënë ende në punë, sqaron se janë kontraktuar në prill 2022, nga ministria e Energjetikës, për krizën që pritej të vinte, por që nuk erdhi kurrë.
Nga studio e MCN Live, ai tha se TEC-et u morën për të siguruar energjinë nëse nuk do të siguronim dot masën prej 30% në bursa, të paktën në periudhën e verës.
Sipas tij, TEC-et erdhën shumë vonë në vendin tonë, në muajin shtator, ndërkohë që jemi në muajin mars dhe nuk kemi asnjë të dhënë se nuk janë funksionale dhe se Enti Rregullator i Energjisë duhet ti licencojë për prodhimin e energjisë.
Lënda e parë që përdoret për prodhimin e energjisë, pasi këto TEC-e kanë 19 gjeneratorë që si lëndë të parë kanë mazut, të kategorisë D2 dhe nuk është përcaktuar nëse mazuti do jetë me akcizë apo pa akcizë dhe as sasia që do përdoret për këto centrale.
Në këtë moment përdorimi i këtyre anijeve del me kosto negative, pasi për 1 megavat orë duhen minimalisht 300 euro, ndërkohë që çmimet në bursë janë 160-170 euro.
Kështu që na del më lirë ta blejmë në bursë se sa ta prodhojmë nga këto centrale. Nuk di nëse këto centrale do jenë funksionale pasi janë përdorur 20 vjet në Bangladesh dhe kjo mund të jetë arsyeja se pse nuk janë vënë në punë.
Unë ngre hije dyshimi si inxhinier. Do u kushtojnë taksapaguesve 68 milionë euro në total, dhe janë apo s’janë funksionale ne do i paguajmë.
I bie rreth 94 mijë dollarë në ditë qiraja e tyre dhe kostoja e mirëmbajtjes, pa përfshirë koston e karburantit.
Këto TEC-e nuk duhet të ishin marrë fare! Me 68 milionë euro do ishte bërë TEC-i i Vlorës dhe njëherë nga fillimi se kostoja për të shkon rreth 15 milionë euro dhe do ishin kursyer fonde për mosblerjen e tyre.
Kostoja në mjedis është e shtuar dhe absolutisht nuk do ishte opsioni më i mirë i mundshëm në këtë moment në vendin tonë.
Duleviç sqaroi se kontrata ka hyrë në funksion në muajin janar dhe se kostoja në një ditë që kalon është rreth 94 mijë dollarë që ne i paguajmë, janë apo nuk janë në punë, detyrime sipas kontratës ndaj kompanisë që ka sjellë këto anije lundruese.
Ai tha se dikush duhet të japë përgjigje se kur do jenë funksionale dhe se nëse vihen në punë këto TEC-e dilet me kosto negative.
Duleviç shtoi se vendi ynë nuk është në situatë të panjohur siç ndodhi vitin e kaluar, duke thënë se edhe këtë vit në verë do jemi në të njëjtën situatë, ku nuk do arrijmë ta mbulojmë 100% furnizimin me energji elektrike.
Këto TEC-e ishin rrufe në qiell të kaltër, do na nxirrnin nga kriza kur çmimet në bursë ishin tejet të larta.
Sa i takon konsultimit me ekspertë të jashtëm Ministria e Energjetikës pyet vetëm ekspertët e ministrisë dhe nuk do dalin kundër.
Raporti i KLSH e raportoi si shkelje, si një nismë jo të mirëmenduar për këto TEC-e lundruese. Është e shkruar te raporti se kostoja e tyre nuk e justifikon.
Shpesh merren vendime kur kriza është tek dera dhe nuk u paraprihet. Ajo që duhet thënë është se KESH ka marrë nga buxheti për blerjen e energjisë mbi 350 milionë euro.
KESH është një nga institucionet me bilancin më negativ financiar në sektorin elektro-energjetik dhe kjo çon që të kemi mungesë në shtimin e kapaciteteve prodhuese.
Ndërsa për panelet fotovoltaikë Duleviç tha që një familje të mbulojë 100% nevojat e veta, i duhet minimalisht 10 mijë euro për to, dhe kostoja e investimit i shkon rreth 8 vite, duke nënvizuar nevojën për subvencion.
Kur nuk ka mbështetje financiare, familjet stepen, ndaj jemi në masën 1% të prodhimit të energjisë të paneleve fotovoltaike.
Lidhur me bordin e karburanteve, ai tha se krijohen në vende autoritare për të krijuar monopol, ku çmimet i diktohen tregut të lirë.
Në këtë drejtim Duleviç deklaroi se çmimi i karburanteve në bursë, aktualisht është i njëjtë si në vitin 2021.



