Një studim i ri ka gjetur një lidhje të fortë midis disa llojeve të baktereve në gojë dhe shëndetit më të mirë ose më të keq të trurit.
Prandaj, flora bakteriale e zgavrës në gojë mund të shoqërohet me rrezikun e demencës dhe Alzheimerit.
E thënë thjesht, është përcaktuar se të kesh një lloj të caktuar bakteresh në gojë lidhet me një shëndet më të dobët të trurit, i cili manifestohet në shenja të rënies së aftësive njohëse, siç është kujtesa më e dobët.
Nga ana tjetër, lloje të ndryshme bakteresh janë të lidhura me një mendje më të ndritur dhe një aftësi më të madhe për t'u përqendruar.
Rezultatet e studimit sugjerojnë se dieta dhe çdo ndërhyrje e aftë për të ndryshuar florën bakteriale të gojës mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në rrezikun e zhvillimit të demencës, megjithëse kjo duhet të konfirmohet nga studime më të thelluara.
Një ekip hulumtues britanik ka përcaktuar se disa lloje bakteresh lidhen me një rrezik më të lartë të Alzheimerit dhe të tjera me shëndet më të mirë të trurit.
Studiuesit, arritën në përfundimet e tyre pasi analizuan mikrobiomën e gojës dhe funksionin kognitiv të 115 personave të moshës 50 vjeç e lart.
Pesëdhjetë e dy përqind kishin funksion të shëndetshëm të trurit, ndërsa 48 përqind e mbetur treguan shenja të rënies njohëse.
Analiza e mostrave të pështymës nga pjesëmarrësit zbuloi se ata që kishin funksion më të mirë të trurit, me rezultate më të larta në testet e kujtesës dhe ushtrimet e tjera njohëse, kishin përqendrime të konsiderueshme të baktereve të gjinisë Neisseria dhe Haemophilus në zgavrën e tyre me gojë.
Përveç këtyre baktereve, kishte edhe nivele më të larta të nitritit jonik, një përbërje kimike "e prodhuar nga bakteret kur ato zbërthejnë nitratin, i cili është një pjesë e natyrshme e një diete të pasur me perime.
Ushqimet e pasura me nitrate që mund të shndërrohen në oksid nitrik përfshijnë agrumet, arrat, panxharin, hudhrën, spinaqin, lakrën dhe perime të ndryshme me gjethe jeshile.
Prandaj, autorët e studimit sugjerojnë se një dietë me bazë bimore mund të përmirësojë cilësinë e mikrobiomës së gojës dhe bashkë me të edhe shëndetin e zemrës dhe trurit, duke pasur parasysh se presioni i lartë i gjakut ( hipertensioni ) është një tjetër faktor që lidhet me demencën.
Por studiuesit zbuluan gjithashtu lidhje "të këqija"; bollëku i baktereve të caktuara te njerëzit me shëndet më të dobët të trurit dhe për këtë arsye shenja të rënies njohëse.
Konkretisht, u vu re se pjesëmarrësit me një zgavër orale të pasur me baktere të gjinive Porphyromonas dhe Prevotella shfaqnin më shpesh probleme me kujtesën dhe përqendrimin.
Këta mikroorganizma shpesh lidhen me një shëndet më të dobët oral, siç është sëmundja e mishrave të dhëmbëve.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se Prevotella ishte e lidhur me nivele të ulëta nitritesh dhe ishte më e zakonshme tek njerëzit me një variant specifik të gjenit APOE4, i cili nga ana tjetër lidhet me një rrezik më të lartë të Alzheimerit.



