
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri me dije se është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Milun Milenkoviç – Llune. Duke iu referuar këtij të fundit Sveçla tha se ai është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”. Sveçla theksoi ai ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe të Policisë së Zveçan. “Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, shprehet ai. Ministri i Brendshëm theksoi se gjatë arrestimit të tij, tre zyrtarë policorë janë lënduar lehtë. “Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë”, shtoi ai, derisa tha se “Republika nuk do të zmbrapset”.



