
Ditën e fundit fermerët në disa rrethe të vendit kanë nisur protestat. Arsyeja e protestave është ulja e çmimit, me të cilat fabrikat e përpunimit e blejnë qumështin nga fermerët vendas nga 160 lekë në 120 lekë për litër.
Lidhur me këtë gazetari Klodian Tomorri në MCN Live u shpreh se arrestimi i fermerëve që protestojnë është i turpshëm, ndërsa bëri me dije se fermerët janë të diskriminuar nga qeveria ku kjo e fundit është duke goditur prodhimin vendas sepse eksportet nuk taksohen.
Ai tha se problemi real në bujqësi është konkurrenca dhe mungesa e mbështetjes nga buxheti publik. Sipas tij në bujqësi nuk mund të ketë monopol.
E para arrestimi i fermerëve që protestojnë është i turpshëm sepse ata janë në të drejtën e tyre për të protestuar dhe kanë arsye të madhe. Fermerët janë kategoria më e diskriminuar e politikave ekonomike për shkak se nuk marrin vëmendjen e duhur nga shteti dhe janë më të keq financuarit jo vetëm në hapësirën evropiane ku ne synojmë të shkojmë, por dhe krahasuar me vendet e ngjashme si Shqipëria, krahasuar madje dhe me Kosovën që ekonomikisht është më pak e fuqishme se Shqipëria. Kemi një diskriminim konstantë nga qeveria, kemi pak vëmendje dhe këta njerëz nuk marrin mbështetjen e duhur jo vetëm për subvencione por dhe politikat absurde që kanë çuar në situatë ku në raste të caktuara qeveria godet prodhimin vendas dhe favorizon eksportin, si qumështi. U leverdis më shumë ta blejnë qumështin në import se nga fermerët vendas për shkak se qumështi i importuar nuk taksohet ndërsa qumështi vendas taksohet 20%.
Lidhur me monopolin e fabrikave, Tomorri tha se në rastin konkret bëhet fjalë për monopson e kundërta e monopolit. Pra sipas tij, në këtë rast fermerët mendojnë se fabrikat e qumështit janë bërë bashkë dhe kanë ulur çmimin në mënyrë arbitrare por ai beson se nuk është kjo arsyeja kryesore.
Përtej sjelljeve të pandershme apo të padrejta të konkurrencës që mund të bëjnë fabrikat e qumështit problemi real në bujqësi në Shqipëri është mungesa e mbështetjes e buxhetit publik dhe konkurrenca. Bujqësia është sektor që i nënshtrohet rregullave të konkurrencës së plotë, nuk mund të ketë monopol, në këtë rast fuqia e tregut që kanë fermerët për të diktuar çmimet është e ulët. Por çfarë ndodh nëse fermerët më pak se fermerët e rajonit ata janë të disvantazhuar në treg sepse u del kosto më e lartë në prodhim dhe nuk konkurrojnë dot në treg.
I pyetur se çfarë peshe kanë në ekonominë tonë fermerët, Tomorri sqaroi se bujqësia jep mesatarisht në histori 20% të prodhimit kombëtar.
Nga prodhimi i fermerëve, aktualisht duhet të jetë 18-19 ndoshta për shkak të një periudhe relativisht të gjatë bujqësia është në rënie për shkak dhe të politikave të qeverisë. E kemi parë se çfarë ka ndodhur me numrin e bagëtive, që ka një rënie dramatike me gati përgjysmim, pra sot fermeri shqiptar i intereson të therë lopët dhe bagëtitë dhe të marrë rrugët e emigrimit sepse s’mund të konkurrojë fermeri shqiptar me atë të Greqisë apo Italisë kur fermeri në BE subvencionohet në mënyrë të jashtëzakonshme kurse fermeri shqiptar merr disa qindarka. Ty të del më lirë të ndërtosh një kullë në mes të Tiranës sesa një stallë për shkak të taksave. Kjo është një kategori e diskriminuar nga politikat e qeverisë dhe kjo e fundit do duhet të kuptojë që për shkak të kësaj politike që ka ndjekur për një kohë të gjatë e ka nxjerr bujqësinë jashtë tregut sepse ata nuk konkurrojnë dot duke qenë pa mbështetje.
Tomorri u shpreh se me këtë sektor e ka të lidhur jetën 40% e popullsisë së Shqipërisë dhe lënia e tyre në këtë gjendje është absurde sepse japin 20% të prodhimit dhe kanë një buxhet për bujqësinë 150 mln euro në vit.
Kjo është ajo që merr bujqësia në Shqipëri duke e bërë atë më të diskriminuarën. Nëse fermerët do të marrin më shumë mbështetje nga qeveria varet nga mënyra se sa fortë do të protestojnë ata dhe sa të konsoliduar do të jenë ata. Nëse mjaftohen me dy apo tre protesta sporadike sigurisht që s’ka për ti rënë ndërmend njeriu për fermerët. Kemi parë se çfarë ka ndodhur me këtë sektor kishin nisur të disbursoheshin fondet e BE për bujqësinë për shkak të korrupsionit u bllokuan, kishte një fluks që sillte 20-30 mln euro në vit mbështesje për fermerët që tani nuk është më, vetë qeveria jep nga buxheti diku te 3.5 mld lekë për subvencione dhe nëse ti bën përpjesëtimin e drejtë kupton se nga sa u bie atyre. Është një sektor që nëse nuk e mbështet e nxjerr nga tregu rajonal dhe do përmbytesh me prodhimet e eksportit. Është një sektor që ka nevojë të mbështetet dhe të rregullohet sepse ka problematika të shumta.



