Takimi i tretë për këtë vit mes dy liderëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së ka përfunduar pa rezultat. Siç raportojnë mediat e Kosovës, takimi ka zgjatur mëse dy orë dhe në përfundim të tij, ashtu si në dy takimet paraardhëse, nuk pati deklarata për mediat.
Megjithatë, është mësuar se Kurti dhe Mustafa do të kenë takime të tjera në ditët në vijim.
Insisitimi i LDK-së për postin e presidentit vijon të jetë pengesa e arritjes së koalicionit që do t’i jepte Kosovës qeverinë e re tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Me zgjedhjen e Glauk Konjufcës, nga radhët e Vetëvendosjes, në krye të Kuvendit të Kosovës, LDK vijon të jetë këmbëngulëse në postin e kreut të shtetit.
Ndërkohë, pasditen e së mërkurës ka skaduar edhe afati që presidenti Thaçi i la Albin Kurtit për propozimin e emrit të kryeministrit. Thaçi pati theksuar se në përfundim të këtij afati do të vijojë me procedurat që parashikon ligji, por deri tani nuk ka asnjë vendim të ri.



