Protesta/ Manastirliu: Mjekët janë aseti ynë, kërkesat e tyre do plotësohen (VIDEO)

Protesta/ Manastirliu: Mjekët janë aseti ynë, kërkesat e tyre do plotësohen (VIDEO)

Është mbyllur pas rreth dy orësh takimi që një përfaqësi e sindikatës së mjekëve zhvilloi sot në ambientet e kryeministrisë me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në një dalje për mediat pas këtij takimi kreu i sindikatës së punonjësve të shërbimit shëndetësor, Gentian Stroni u shpreh optimist teksa tha se kërkesat e tyre ishin vlerësuar si të drejta nga ana e qeverisë dhe shtoi se duke nisur nga java tjetër do të nisë ngritja e grupeve të punës dhe organizimi i tryezave me përfaqësues të sindikatës dhe të qeverisë për të adresuar secilën prej tyre.

Nga e mërkura dhe e enjtja do të kemi grupet tona të punës dhe për të arritur në përfundimet që ne do të donim të ishim. Pra, do të jetë pjesë e një tavoline tjetër dhe në grupe më të vogla për detaje për secilën nga kërkesat tona”, tha Stroni.

Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve duke i cilësuar ata si një aset i vyer, veçanërisht në situatën e pandemisë që po kalon vendi si e gjithë bota.

Ajo tha se kërkesat e mjekëve do të dëgjohen dhe shqyrtohen nga qeveria dhe do të jenë vetë bluzat e bardha ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre.

Janë 4 pika që do të diskutohen edhe me ekipe më të vogla pasi janë çështje që adresojnë situata të ndryshme, kërkojnë ekspertizë edhe ndërkombëtare që të bëjmë më të mirën. Platforma e bashkëpunimit që ne e kemi të ngritur, qeveria ka vullnet për të përmbushur kërkesat e mjekëve dhe infermierëve”, tha ministrja.

Mjekët dhe infermierët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mbajten një protestë të enjten në orën 10:00 në sheshin para spitalit nr.1 të QSUT.

Protesta u paralajmërua nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, ndërsa peticioni mban firmën e 12 mjekëve.

Ata ngriten shqetësimet e tyre, të krijuara nga situata e pandemisë, duke paraqitur 4 kërkesa:

Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbasin jetën në këtë luftë.

Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme

Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit

Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit.

Kujtojmë se policia nuk ka dhënë leje për mbajtjen e kësaj proteste, duke u kujtuar mjekëve faktin se tubimet janë të paligjshme për shkak të situatës së pandemisë dhe përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.

Ndërkohë, një orë përpara protestës së planifikuar kryeministri Edi Rama ka ftuar në takim një përfaqësi të mjekëve për të dëgjuar nga afër kërkesat e tyre.

Në takimin që po zhvillohet në ambientet e kryeministrisë është e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtori i QSUT.

Përfaqësues të sindikatës së punonjësve të shërbimit shëndetësor, mes tyre kreu i sindikatës, Gentian Stroni kanë mbërritur në ambientet e kryeministrisë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy