
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë për herë të parë se “diktatori” Vladimir Putin po kryen gjenocid në Ukrainë.
Duke folur për nevojat e brendshme të energjisë në një fabrikë etanoli në Iowa, Biden tha se "buxheti juaj familjar, aftësia juaj për të mbushur rezervuarin tuaj, asnjëra prej tyre nuk duhet të varet nga fakti nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg".
Duke folur me gazetarët në Iowa, ndërsa përgatitej të hipte në Air Force One, Biden qëndroi në komentet e tij.
"Po, e quajta gjenocid. Është bërë gjithnjë e më e qartë se Putini thjesht po përpiqet të fshijë idenë e të qenit të aftë për të qenë ukrainas. Më shumë prova po dalin nga gjërat e tmerrshme që kanë bërë rusët në Ukrainë. Dhe ne do t'i lëmë avokatët të vendosin ndërkombëtarisht nëse kualifikohet apo jo, por sigurisht që kështu më duket mua", tha Biden.
Nga ana e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cili gjithashtu ka përdorur termin, falënderoi Biden për përdorimin e tij, duke thënë se ato ishin “fjalë të vërteta të një lideri të vërtetë”.
Javën e kaluar, Zelensky akuzoi Rusinë për kryerjen e gjenocidit pasi një numër i trupave civilë u zbuluan në Bucha pas tërheqjes së trupave ruse.
Liderë të tjerë botërorë, si Boris Johnson i Britanisë së Madhe dhe Andrzej Duda i Polonisë, kanë përdorur gjithashtu fjalën “gjenocid” për të përshkruar veprimet ruse në Ukrainë.



