
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Durrësi në nisjen e stërivtjes “Defender Europe 21” të NATO-s dhe vendeve aleatë.
Rama thotë se kjo stërvitje është unikale pasi shënon një ngjitje të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA dhe NATO.
Ai garanton SHBA-në dhe NATO-n se Shqipëria pavarësisht se në forca numerike nuk i ofron shumë aleancës, qëndron besnikërisht krah tyre.
“Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër se sa një moment i rëndësishëm, i punës së përbashkët. Ësthë pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë. I vlerësojmë marrëdhëniet e shkëlqyera, fakti është se mund të jenë edhe më të shkëlqyera falë një besimi të madh, ndërveprimi reciprok.
Dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri edhe ju do ju ndodhë ajo që i ndodh të gjithëve, do doni të riktheheni përsëri. Shqipëria nuk është i këshilluar për të ardhur, për shkak të stereotipeve. Por kush vjen, dëshiron të rikthehet.
Besoj që ne të gjithë së bashku duhet të mbajmë parasysh, është t’i përcjellim gjeneratave të tjera këtë amanet për të ardhmen e vendit tonë, dhe botës së madhe që duan të jetojnë në liri e demokraci.
Dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë, brenda kësaj aleance. Shumë faleminderit. Suksese në këtë stërvitje unikale në historinë e marrëdhënieve tona, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë rajonit, dhe përtej saj kushdo që ka nevojë për përgjigje për qëndrimin tonë në këtë aleancë në krah të SHBA, dhe vendet e tjera që për lirinë e demokracinë paguajnë çdo çmim”, tha Rama.
Ndërsa Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria do ta plotësojë deri në fund këtë besim të madh të dhënë nga aleatët.
"I është besuar kjo përgjegjësi madhore vendit tonë, besim që vendi ynë dhe forcat tona të armatosura do ta justifikojnë të plotë. NATO-ja është aleanca më e madhe e lirë në botë. Rreth 1000 trupat tona do të jenë aktive në këtë stërvitje.
Si President dhe Komandant i Forcave të Armatosura jam i bindur se do të respektohen të gjithë rregullat që lidhen me sigurinë e trupave dhe mbarëvajtjen e kësaj stërvitje. Miqësia e fortë e 2 kombeve tona është shumë më e hershme sesa ekzistenca e shtetit shqiptar", ka thënë ndër të tjera Meta.




