
Udhëtarët e vaksinuar plotësisht nga Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës, do të mund të hyjnë në Britani të Madhe pa iu nënshtruar masës së karantinës nga java e ardhshme.
Megjithatë, ekziston një përjashtim në vendim: Franca, të cilën Mbretëria e Bashkuar e konsideron me rrezik të lartë, për shkak të prezencës të variantit Delta. Vizitorët nga ky vend do të vazhdojnë të përballen me masën e karantinës.
Në Gjermani është bërë e detyrueshme vaksinimi për grupe të ndryshme profesionesh. E përditshmja gjermane Bild tha se vala e katërt e Covid-19 ka filluar tashmë. Ndërkohë janë ashpërsuar masat për të gjithë personat e pavaksinuar që do të hyjnë në vend.
Testi do të jetë i detyrueshëm për ata që mbërrijnë në Gjermani, ndërsa të gjithë fëmijët e pavaksinuar që kthehen nga zonat “me rrezik të lartë” duhet të karantinohen.
Po ashtu Franca ka shpallur nga shtatori vaksinimin e detyrueshëm duke e vendosur atë si kusht për ushtrimin e profesionit, vendim i cili është pritur me protesta. Në Greqi, sipërmarrësve që punësojnë personel të pavaksinuar do t'u vendosen gjoba deri në 200.000 Euro.
Italia ka pasur protesta kundër certifikatës digjitale të vaksinimit, por detyrimi për vaksinimin e personelit shëndetësor në Itali është në fuqi që nga marsi. E megjithëse unioni e ka arritur synimin e vaksinimit të 70 % të qytetarëve të saj të rritur me një dozë, numri ditor i rasteve vazhdon të rritet me shpejtësi, duke arritur një nivel prej 1.000 rastesh të reja për 1 milionë banorë.
Nga krahu tjetër, SHBA janë duke regjistruar një mesatare shtatë ditore prej 57,000 rastesh infektimi, duke rekomanduar kthimin edhe njëherë të maskave në ambiente të mbyllura me detyrim. Në të gjithë botën, janë regjistruar deri më tani mbi 196 mln të infektuar nga covid-19 dhe variantet e tij.



