Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi paraqiti raportin rekomandues të Partisë Demokratike, lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke deklaruar votën pro autorizimit të arrestimit.
Ai deklaroi në sallën e parlamentit se imuniteti i Ballukut duhet të hiqet, pasi provohet rreziku i ndikimit në provat e procedimit penal nga deputetja socialiste.
Ekzistojnë të gjitha kushtet për dhënien e autorizimit të kërkuar nga prokuroria për arrestimin e deputetit. Ne deputetët e pakicës parlamentare në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, nuk duhet të bënë shqyrtim ligjor të çështjes. Është kërkuar autorizim nga prokuroria që të ketë mundësi të drejtohet gjykatës për masën e sigurimit.
Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe në rastin konkret jemi para prezumimit bazik që imuniteti të hiqet, pasi nuk ka asnjë arsye që akuzat janë të motivuara politikisht. Provohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, provohet rreziku për procedimin penal.
Ekziston rreziku i prishjes së provave nga deputetja Belinda Balluku. Provohet rreziku i ndikimit në provat e procedimit penal. Çdo masë tjetër përveç arrestit, është e papërshtatshme për deputeten Belinda Balluku, për shkak të rrezikshmërisë së shtuar dhe përsëritjes në vazhdimësi të së njëjtës vepër penale.



