Avokati Franc Nuri flet për kërkesën e dorëzuar në emër të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me votën e diasporës dhe konkretisht në Greqi.
Ai tha për “MCN Live” se kërkesa u dorëzua mbrëmë dhe bëhet fjalë për problemet e shumta që janë konstatuar në Greqi për votimin e diasporës, duke apeluar që të trajtohet me urgjencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas tij, ka dyshime serioze lidhur nga vetë shifrat e komunikuara ku është bërë me dije se 17.700 vota që kishin ardhur për dy javë nga Greqia dhe vetëm në 24 orët e fundit kanë ardhur 6 mijë vota brenda 24 orëve.
Ka indicie, por ka të dhëna se një person është paraqitur në qendrën e dorëzimit të zarfeve dhe ka marrë 40 zarfe. Nuk po shpërndahen zarfet me fletët e votimit në zyrat e DHL, por në pika bastesh, hyrje pallatesh, janë indicie që na kanë ardhur nga Greqia.
Jemi ende në kohë që KQZ të ndërhyjë që ta kthejë procesin në Greqi, në shinat e ligjshmërisë. Është bërë thirrje publike nga KQZ që zyrat postare të ishin në shërbim edhe në fundjavë. Pagesa që ka marrë DHL është që të shkojë tre herë në zyrën e shtëpisë dhe nëse nuk e gjente personi, zarfi kthehet mbrapsht. Nuk mund të ndryshohen rregullat në mes të lojës.
Problemi është Greqia, se Partia Socialiste pretendon se aty ka mbështetje. Ardhja e votave nga Greqia ishte shumë pak në krahasim me totalin e regjistruar në platformë. Si mundet të vijnë menjëherë 6 mijë vota brenda 24 orëve?
Nuk dua të them që në Greqi ka ndenjur me ditë të tëra Taulant Balla... Por rregullat e lojës duhet të jenë të njëjta, nuk mund të ndryshohen në mes të lojës. Në Greqi ka shkelje totalisht të rregullave dhe Kodit Zgjedhor.
Sipas udhëzimit, as babai i familjes nuk mund të merrte zarfin për familjarët e tij, por duhet të ishte vetë individi që ta merrte me mjet identifikimi. Nuk mund t’iu dorëzohet patronazhistëve apo subjekteve të tjera, kërkojmë që të merren masa akoma nga KQZ.
DHL të zbatojë rregullat dhe të mos zbatohet praktika e ndarjes së votave me tufa.
Pse ndodh në Greqi, se jemi afër me kufirin tokësor? Jemi duke përgatitur shkresë tjetër për KQZ dhe do kërkojmë të na vihet në dispozicion gjithë dokumentacioni se si e ka marrë zarfin çdo informacion në Greqi, se kemi marrë informacione se kanë shkuar për të tërhequr zarfin dhe në zyrat postare iu është thënë se zarfin tënd e kanë marrë.
Ne duam nënshkrime se kush e ka marrë. Ne do e dorëzojmë brenda pak minutash në KQZ.



