Përtej dëmit ekonomik, ndikimi më negativ i pandemisë është ai në procesin e të nxënit. Mbyllja e shkollave gjatë valës së parë në shumicën e vendeve (përfshirë Shqipërinë) dhe mbyllja e pjesshme në disa vende gjatë valës së dytë e ka zhvendosur online procesin mësimor.
Mësimi në distancë është një masë emergjente që duhet të konsiderohet e jashtëzakonshme në raste ekstreme, duke pasur parasysh që shkolla nuk është një vatër infeksioni. Kostoja që pandemia po i ngarkon këtij brezi nuk mund të rimbursohet në asnjë mënyrë. Disa studime ndihmojnë për të kuptuar sesa mund të jetë ky dëm, duke mos llogaritur kostot psikologjike. Një hulumtim nga Fondacioni Agnelli ka vlerësuar, për shembull, se procesi i cunguar i të mësuarit sot mund të reflektohet me 900 euro në muaj më pak të ardhura nga pikëpamja ekonomike në të ardhmen. Edhe pse është e vështirë të imagjinohet bota e së nesërmes, dhe cili do të jetë konteksti që fëmijët e sotëm do të hasin si të rritur, kjo është një shifër që jep një ide se sa mund të vlejë një arsim i mirë.
Një studim po aq interesant është ai i kryer në Holandë nga një grup studiuesish nga Universiteti i Oksfordit dhe Stokholmit, të cilët patën mundësinë të studionin një situatë ideale. Në Holandë, në fakt, shkollat u mbyllën për 8 javë dhe kishte teste vlerësimi si para, ashtu edhe pas kësaj periudhe. Duke krahasuar rezultatet e marra nga nxënësit e moshës 7 deri 11 vjeç në të njëjtat provime të tre viteve të mëparshme, studiuesit ishin në gjendje të matnin me një farë saktësie rënien e performancës akademike për shkak të mësimit në distancë.
Ajo që doli konfirmon shqetësimet: deficiti i të mësuarit mund të vlerësohet në një masë që korrespondon me humbjen e të paktën një të pestës së vitit shkollor, pak a shumë të periudhës së pushimeve. Në praktikë është sikur në të njëjtën kohë kur zhvillohej mësimi në distancë, nxënësit të mos kenë bërë asnjë përparim. Akoma më shqetësues është fakti që fëmijët nga familjet me arsim të ulët kanë treguar humbje në mësim që ishin 55% më të larta se mesatarja.
Për të kuptuar efektet e pandemisë në arsim, duhet të kemi parasysh se në Holandë situata teknologjike konsiderohet ideale, në kuptimin që nuk ka probleme të mjeteve dhe mundësive të lidhjes. Mbetet për t’u imagjinuar se çfarë rezultatesh mund të merren në vendet më pak të përparuara ose ku familjet nuk janë në gjendje të kenë mjete adekuate që fëmijët e tyre të ndjekin mësimet dhe më pas t'i ndihmojnë ata në të mësuar. / Avvenire /



