Lirimi i administratorit të CFO Pharma, i akuzuar për pjesëmarrje në një skemë mashtrimi që përfshinte kompaninë e Caushollit, ka ngjallur debate mbi mënyrën se si po trajtohen rastet e korrupsionit dhe mashtrimit në sektorin privat.
Lidhur me këtë avokati Romeo Kara në MCN Live pyet nëse standardet janë respektuar gjatë vendimmarrjes së gjykatës. Ai tha se duhet një vëmendje më e madhe sa i përket cilësisë së barnave.
Mendoj se në drejtim të barnave duhet të kemi vëmendje për cilësinë e tyre. Jo më shumë se disa ditë më parë një banor i Fierit më ka parashtruar se barnat nuk bëjnë efekt, nuk kanë standardet e duhura, pastaj edhe për çmimet që janë në raport jo të logjikshëm. Barnat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin.
Këtu çështja është mes dy presioneve: presioni i organit të akuzës për të bërë një hetim sa më të shpejtë dhe të mos infektohen nga pushteti, dhe për këtë arsye e sheh paraburgimin si zgjidhje, madje dhe të detyruar. Nga ana tjetër, ky paraburgim të mos trajtohet si burgim. Tani që u vajti uji te dera politikanëve më të mëdhenj, kërkojnë që paraburgimi të jetë proporcional.
Gjykata ka vendosur në kundërshtim me standardet e procesit, nuk ka marrë parasysh rrezikun e dënimit dhe ka vendosur ta lirojë këtë person. Tani duhen parë argumentet e organit të akuzës dhe arsyetimi i gjykatës. Unë jam për një politikë të egër, të mos i lejojmë personat që kanë pushtet të abuzojnë. Personi rrezikon të prekë procesin apo të kryejë një tjetër vepër penale; duhet të kemi paraburgim. Duhet kuptuar se do të kemi dhe raste të tjera.
Në një tjetër rast që ka tërhequr vëmendjen e medias dhe publikut, CEO i kompanisë “Bankers”, i vetmi nga drejtuesit që ndodhej në burg, është liruar dhe i është dhënë arrest shtëpie.
Kara tha se ky vendim ka ngritur pyetje mbi standardet e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen skandalet e mëdha financiare në vend, teksa e konsideroi cëhstjen e Bankers si tradhëti ndaj Shqipërisë dhe korrupsionin më të madh.
Drejtësia jonë nuk ka qenë kurrë parandalues dhe e shohim te Bankers. Është një aferë ku këta po shmangen. Edhe pse janë munduar ta qepin, batërdia që është bërë në fushën e karburanteve është një batërdi që transferohet në çdo qeveri. Për mua është tradhti ndaj Shqipërisë.
Një nga listat që është pa ekuivok të bind që ke pastrim parash, dhjetëra apo qindra milionë lekë për një ndërmarrje që del me humbje, nuk paguan taksat, shmang detyrimet. Miliona humbje ekonomike, por sa persona janë që janë biznesmenë të papërmendur dhe kanë marrë miliona e miliona, apo siç kemi dhe avokatë që kanë ofruar shërbime, por ato shërbime kanë rezultuar në një hiç.
Ajo aferë mbrohet fort për të mos u hapur sepse hapen probleme. Jemi shpejt në kushtet që jemi tani. Këtu shoh korrupsionin më të madh.



