
Kancelarja Angela Merkel mund të marrë frymë e lehtësuar pas deklaratës së aleatit të saj më të madh. Lideri i CSU-së, njëkohësisht ministër i Brendshëm në qeverinë gjermane, Horst Seehofer, thotë se mosmarrëveshjet në lidhje me çështjen e emigracionit kanë marrë fund.
“Po shohim përpara”, i tha Seehofer gjermanes “Die Welt am Sonntag”.
Merkel arriti një marrëveshje të enjten me palën e tretë në koalicion, socialdemokratët. Sipas marrëveshjes, azilkërkuesit që mbërrijnë në Gjermani pasi kanë aplikuar për azil në një vend tjetër të BE-së, kthehen automatikisht mbrapa.
Me hyrjen në zbatim të kësaj marrëveshjeje, më pak azilkërkues do të mbërrijnë në Gjermani për t’u vendosur përfundimisht aty.
Marrëveshja është pjesë e strategjisë politike të CSU-së për të frenuar lëvizjen e votuesve të saj drejt AfD (Aleanca për Gjermaninë), parti e ekstremit të djathtë, para zgjedhjeve rajonale të tetorit.
Frika për rritjen e AfD-së, e cila ka bërë fushatë kundër emigracionit, është rritur për shkak të sondazheve të kohëve të fundit, që e tregojnë atë në nivelin 17%, ndërkohë që vetë koalicioni CSU-CDU është 30%.
Sipas “Die Welt”, Seehofer do ta paraqesë të martën planin e tij. Megjithatë, edhe pse kriza në qeverinë gjermane duket se është shmangur, marrëveshja ka nevojë për mbështetjen e vendeve të tjera të BE-së, një pjesë e të cilave nuk janë të lehta për t’u bindur.
Komentet e Seehofer për “pajtimin” me Merkel vijnë vetëm 3 ditë para një takimi jozyrtar që Seehofer pritet të mbajë me homologët Matteo Salvini dhe Herbert Kickl. Ministrat e Brendshëm të Italisë dhe Austrisë do të takohen me homologun e tyre gjerman të mërkurën në Innsbruck.



