Muaji qershor shënon jo vetëm fundin e vitit shkollor, por edhe nisjen e përgatitjeve intensive për një nga netët më të rëndësishme për të rinjtë – mbrëmjen e maturës. Veshja, organizimi, makinat, fotografitë dhe videot janë kthyer në pjesë të pandashme të kësaj feste, ndërsa për shumë familje ato shoqërohen edhe me shpenzime të konsiderueshme.
Megjithatë, për vetë maturantët, emocionet dhe kujtimet mbeten arsyeja kryesore pse kjo natë konsiderohet e veçantë.
Maturanti Laert Truka tregon se, ndonëse ka pasur edhe përplasje datash gjatë organizimit të mbrëmjes, grupi është përqendruar që festa të jetë sa më e bukur dhe e veçantë.
Ne fokusohemi që kjo të jetë një natë që do ta kujtojmë gjatë. Sigurisht që edhe mënyra si vishemi, me çfarë mjeti shkojmë apo si paraqitemi kanë rëndësi për ne, sepse janë pjesë e emocionit të kësaj dite. Megjithatë, mbi të gjitha duam të kalojmë mirë. Kemi menduar të realizojmë një videokujtimesh në sallë, do të kemi një ansambël dhe një koncert, si edhe shumë të rinj të talentuar që do të këndojnë gjatë mbrëmjes. Synimi ynë është të krijojmë diçka të bukur dhe ndryshe."
Edhe maturantja Sara Memaj e sheh festën si simbol të mbylljes së një kapitulli të rëndësishëm në jetë.
Në thelb, matura është kënaqësia që vjen pas tre viteve gjimnaz dhe bashkimi i të gjithë maturantëve. Ne kemi menduar të organizojmë edhe një mbledhje kujtimesh për klasat tona. Për mua, mënyra se si e përjeton maturën varet nga secili maturant. Është mbyllja e një etape të rëndësishme dhe vendosja e 'qershisë mbi tortë'. Sigurisht që edhe paraqitja ka rëndësinë e saj, por personalisht nuk kam dëshirë të jem në qendër të vëmendjes. Dua ta shijoj natën me njerëzit e mi."
Por krahas entuziazmit, specialistët vërejnë edhe një tjetër realitet: presionin social dhe financiar që shoqëron këtë festë. Psikologia Sonila Jaupbashi thotë se vitet e fundit mbrëmja e maturës është shndërruar në një garë për t'u dukur sa më bukur dhe më luksoz.
Ky pompozitet më ka bërë të reflektoj gjatë mbi atë se si është sot të jesh adoleshent dhe maturant. Shoh një presion shumë të madh social për t'u dukur bukur, me luks dhe me veshje të shtrenjta, ndërkohë që realiteti ekonomik i shumë familjeve është krejt ndryshe. Madje ka prindër që marrin edhe borxhe vetëm për t'ua plotësuar dëshirën fëmijëve, që të mos ndihen ndryshe nga bashkëmoshatarët. Të rinjtë duhet të kuptojnë se vlera e tyre nuk matet nga ajo që postojnë në Instagram apo TikTok, por nga mënyra si e jetojnë këtë moment të rëndësishëm.
Edhe mësuesja Teuta Radoniqi, e cila ka përcjellë shumë breza maturantësh, vëren ndryshimet që ka sjellë koha.
Padurimi për mbrëmjen e maturës ka qenë gjithmonë i njëjtë. Edhe dikur nxënësit e prisnin me shumë emocione, por fokusi ishte te ndarja e kujtimeve dhe ëndrrave për të ardhmen. Sot organizimi është bërë shumë më kompleks, me foto, video dhe një përgatitje që shpesh lidhet me konkurrencën në rrjetet sociale. Dikur festa ishte më e thjeshtë dhe shijohej më shumë shoqëria dhe momenti. Sot, falë teknologjisë, shpesh krijohet ideja se nata duhet të jetë një spektakël. Megjithatë, në thelb, matura mbetet simboli i fillimit të një rrugëtimi të ri drejt profesionit dhe jetës universitare."
Mes emocioneve, kujtimeve dhe shpenzimeve që çdo vit duket se rriten, matura vijon të mbetet një nga momentet më të rëndësishme në jetën e të rinjve. Sfida, sipas specialistëve, është që kjo festë të mos matet me luksin apo paraqitjen, por me vlerën e kujtimeve që do të mbeten gjatë.



