
Avokati Franc Nuri tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se shifra prej 246 mijë emigrantësh që do të votojnë për zgjedhjet e 11 majit i ka tejkaluar pritshmëritë e PD-së.
Nuri sqaroi se kush ka kërkuar të votojë nga diaspora, do mund ta kryejë këtë proces vetëm me postë dhe nuk do e gjejë emrin në listat e zgjedhësve në Shqipëri.
Kjo shifër e ka tejkaluar gjerësish pritshmërinë fillestare. Dhe nga informacionet që u dhanë në fillim, në rrugë informale u kuptua që buxheti kishte parashikuar një shumë të caktuar për 100 mijë zgjedhës nga jashtë. Duke ditur që kjo shifër u tejkalua gjerësisht, jemi pothuajse 246 mijë zgjedhës të regjistruar të cilëve do duhet t’u niset fleta e votimit, materialet zgjedhore.
Argumenti tjetër është dhe vetë PS-ja nuk e kishte të parashikuar një numër kaq të madh, mendonin se do ishin 100-150 mijë. PD ka qenë me idenë të ketë masivizim të votës së diasporës, një hapje dhe dhënie të mundësisë për të votuar edhe me dokumente biometrike të vendeve Perëndimore.
Kush ka kërkuar të votojë nga diaspora do të votojë vetëm me postë. Nuk i kanë të dyja mundësitë. Nuk kanë të drejtë të votojnë në mënyrë fizike në maj. Është normale se ka dhe kosto të lartë.
I ndalur dhe tek paqartësitë për fletën e votimit, Nuri tha se kjo situatë vjen pasi nuk dihet se sa parti dhe koalicione do të jenë në garë.
Ajo që e bën të paqartë fletën e votimit është elementi që edhe KQZ ende nuk di, është se sa subjekte zgjedhore, sa parti dhe sa koalicione do të jenë në garë. Vërtetë janë regjistruar 54 parti politike, por at nuk janë të gjitha parti parlamentare.



