Ende pa ardhur vera me temperaturat sahariane, zjarret kanë nisur të shkrumbojnë disa zona. Trupave të ministrisë së Mbrojtjes u është dashur të luftojnë me flakët ditën e djeshme në vaun e Dejës, ku zjarri, si pasojë e pakujdesisë, rrezikonte edhe 4 banesa në fshatin Tanush. Mesa duket stina e zjarreve si pasojë e papërgjegjshmërisë nisi herët këtë vit, megjithatë efektivët e të Vaut të Dejës eliminuan rrezikun për 4 banesa në fshatin Tanush dhe prej gati 2 orësh vijojnë betejën me flakët-shkruante ministrja Kodheli në facebook, në një postim të cilin e shoqëroi edhe me fotografi gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Po kështu prej mbrëmjes së djeshme Forcat e Armatosura në Vaun e Dejës janë angazhuar me burime njerëzore dhe automjete për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor në fshatin Zimaj të njësisë administrative Ungrej në Lezhë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se vijojnë të jenë të angazhuara 30 forca dhe 2 mjete.



