Grida Duma ka bërë sot me dije lënien e mandatit të saj si deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur Grida Duma e konsideroi vendimin e saj si të duhurin, të marrë pas një periudhe të gjatë reflektimi.
Kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, reflektim që vjen pas një përpjekje të gjatë për të bërë të duhurën për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është në fakt vendimi i duhur. Unë mendoj që në politikë fatet individit vlen të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur ato shkojnë në një kahje me fatet vendit, e njerëzit, të votuesve, kurrë e kundërta megjithëse e kanë bërë shpesh të kundërtën. Pikërisht sepse fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni i vetëm që i përgjigjem, nuk mund të zgjidhja më të thjeshtën. Më e thjeshta për mua do ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhnin dështimet që disa i parashikojnë, siç edhe e di që ka edhe nga ata që presin skutave për shansin e humbur. Mund edhe të qëndroja për të mbijetuar, duke thjesht vegjetuar. Por unë shumë vite në politikën e vijës së parë nuk i jam larguar përgjegjësie e as betejës, e madje kam qenë para jush duke mbrojtur edhe beteja për të tjerët.
Në konferencën për mediat ajo tha se një nga gjërat që nuk do t'ia falë kurrë politikës është goditja nën brez që i ka dhënë, kur është prekur djali i saj.
Kujtojmë që Grida Duma e mori mandatin vitin e kaluar në zgjedhjet e 25 prillit. Së fundmi qarkullojnë zëra se ajo do të moderojë një emision televiziv. Ndërkaq mandatin e lënë bosh nga Duma pritet ta marrë Ori Nebijaj.



