Analisti Mentor Kikia thotë se nuk mund të presim që të gjitha çështjet që duhen zgjidhur t’i hetojë prokuroria, pasi në të kundërt duhen mbledhur gjithë prokuroritë e botës.
Duke folur për MCN Live, ai tha se duhet zgjidhje politike dhe se zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhjet.
Sipas tij, në burg shkojnë ata që kanë abuzuar në përmasa të mëdha dhe se nëse do fillosh që nga kryeplaku i fshatit te punonjësi i administratës e me radhë, nuk ja del.
Kikia deklaroi se miratimi i ligjeve me porosi është sot forma më e lartë e korrupsionit.
Zgjidhjet janë politike dhe këto quhen zgjedhje.
Për herë të parë kemi një popull që nuk e do qeverinë dhe këtu nuk ka nevojë për sondazhe të shumta për të kuptuar që ky popull nuk e do qeverinë në një mandat të katërt, por për herë të parë kemi një opozitë që këtë popull që nuk e do qeverinë nuk e bind dot që ta marrë pas vetes.
Këtu nuk ndihmon dot as Strasburgu, as Uashingtoni, as Brukseli, këtu është pika e krizës së politikës shqiptare e cila në 34 vjet nuk ka ditur të ripërtërijë vetveten dhe të ofrojë alternativa të reja.
Sot nuk ka alternativa qeverisëse. Shumë njerëz thonë që nuk shkoj për të votuar mes Ramës dhe Berishës.
Berisha dhe Meta mund të jenë nën akuzë për gjëra shumë modeste, por publiku është shumë i qartë se çfarë kanë bërë këta njerëz kur kanë qenë në qeveri.
Kur lexon dosjen hetimore, krijon mekanizmin prej oktapodi, ku lidhjes mes politikës, biznesit, njerëzit të medias, ku çdo ingranazh ka rolin e vetë në korrupsion.
Por në fund zyrtarë të këtij niveli nuk përfundojnë në burg për gjithçka që kanë bërë.
Berishës i ka ngelur në dorë një histori që ende nuk është bindëse, por nëse do të duash të rrëmosh në gjithë sa ka ndodhur...
Ka dy elementë që ngrenë krye në dosjen hetimore ndaj Metës, mekanizmi i korruptimit të ligjvënësit.
Në rastin që po flitet, është miratimi i ligjeve të posaçme. Një sipërmarrësi që të ofron një vilë, i duhet një modifikim në ligj për të përfituar një pasuri publike dhe kjo gjë ka ndodhur.
Kjo histori erdhi duke u trashur dhe parlamenti është fajtori më i madh i gjithë të këqijave që po ndodhin në këtë vend.
Ky lloj lobimi ka patur dhe ka pasoja shumë të rënda në ekonominë publike se në fund të gjitha marrëveshjet koncensionare kalojnë në parlament, se ai që i merr i do të mbrojtura mirë.
Ata mund të mos mbajnë përgjegjësi ligjore mbi votën, por kanë përgjegjësi politike dhe miratimi i ligjeve me porosi është sot forma më e lartë e korrupsionit.
LSI e mbylli misionin, nuk mendoj se LSI apo PL do kthehet në rolin e saj.
PD ka shtuar numrin e partive politike, por unë nuk i quaj alternativa të reja.



