Rekordet e reja të rasteve të reja me koronavirus dy ditët e fundit kanë ngritur pyetjen nëse do të jetë i nevojshëm rikthimi i masave. Në një intervistë në Skype me studion e lajmeve në TvT, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, tha se rreziku më i madh për përhapjen e virusit mbeten spitalet.
“Duhet të rikthehemi te mbrojtja e spitaleve. Nëse nuk mbrojmë spitalin, shifrat do të rriten. Nga 42 raste në total, 5 janë personel mjekësor. Mos u çuditni nëse gjejmë të tjera. Vatra kryesore është QSUT. Në komunitet ka më pak raste se në këtë vatër. Ajo ka kapacitetin për t’u përhapur në të gjithë vendin”, tha ai.
Alimehmeti e shpjegon rritjen e rasteve të reja me numrin e rritur të testimeve të kryera.
“Është rritur numri i testimeve. Ka qenë rekord”, tha ai.
Lidhur me numrin e vdekshmërisë, i cili më i ulët se gjatë kohës së karantinës, Alimehmeti tha se treguesi më objektiv janë shtrimet në spital.
“Janë të dhëna klinike dhe jo virologjike. Hospitalizimet janë indikatori më i saktë për kërtë sëmundje. Nëse bëjmë më shumë teste, nesër do të gjejmë një shifër shumë më të lartë. Për krahasim, kjo ndodh në Maqedoni, ku bëhen 1200 testime në ditë”, tha ai.



