Donald Trump po përballet me një goditje potencialisht dëmtuese financiare dhe politike ndërsa prokurorët e shtetit do të shqyrtojnë ngritjen e akuzave penale kundër biznesit të tij familjar këtë javë.
Prokurorët në Nju Jork së shpejti mund të ngrenë një padi kundër Organizatës Trump në lidhje me taksimin e përfitimeve që ajo u dha drejtuesve të lartë, të tilla si përdorimi i apartamenteve, makinave dhe shkollimit, shkruan The Guardian.
Presidenti i 45-të nuk pritet të akuzohet personalisht por drama ligjore mund të falimentojë kompaninë e tij duke dëmtuar marrëdhëniet e saj me bankat dhe partnerët e tjerë të biznesit, si dhe duke turbulluar rikthimin e tij politik.
Ron Fischetti, një avokat i Organizatës Trump, mbajti një takim virtual me prokurorët të Enjten e kaluar për rreth 90 minuta në një përpjekje për t'i larguar ata nga ndjekja e akuzave penale kundër kompanisë.
"Akuzat janë absolutisht të egra dhe të pashembullta”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë Trump, i cili u mund nga Joe Biden në zgjedhjet e Nëntorit të kaluar, ka kohë që kërkon të hedhë poshtë hetimin si një "gjueti shtrigash" dhe mbetet politikisht aktiv. Ai u kthye në tubimet e fushatës të Shtunën dhe synon të përfshihet shumë në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022 dhe mund të kandidojë përsëri për president në 2024-ën, por ka shenja se “muret” po mbyllen.



