
Tre zyrtarë, mes tyre sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, janë vënë në prangat e policisë së Tiranës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në pranga kanë përfunduar edhe Alban Ruli me funksion përmbarues dhe drejtori juridik i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxhaj.
Bëhet fjalë për aferën e kompensimit të 1.2 milionë eurove nga Ministria e Financave ndaj shtetasit Ilir Thana.
Fillimisht zyrtarët janë shkarkuar nga detyra dhe janë vënë në pranga, pas dyshimeve se kanë ndihmuar shtetasin Thana që të merrte kompensimin lidhur me privatizimin e një ndërmarrje shtetërore.
Bëhet fjalë për një kompensim për të dytën herë ndaj Ilir Thanës, ku për të njëjtën godinë, ai ishte paguar dhe një herë tjetër.
Në fund të muajit dhjetor, Prokuroria e Tiranës, urdhëroi ndalimin e shtetasit Ilir Thana, i cili ka përfituar një shumë prej 1.2 milionë eurosh, në cilësinë e ish-pronarit të një godine dhe sipërfaqes së tokës ku gjendej godina.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit Ilir Thana sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e Ilir Thana vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.
Më tej, rezulton se shtetasi Ilir Thama është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin Ilir Thana në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.
E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.
Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetasit Ilir Thana shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.
Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.



