
Trupi ynë, përmes sistemit imunitar, na dërgon vazhdimisht sinjale për gjendjen tonë shëndetësore, por shpeshherë ne i shpërfillim ato. Vitaminat janë thelbësore për funksionimin e duhur të organizmit dhe mungesa e tyre mund të shfaqet përmes shenjave që në fillim duken të paqarta.
Dobësitë që vijnë si pasojë e mungesës së vitaminave shpesh shoqërohen me simptoma të lehta, të cilat ngatërrohen me lodhjen e përditshme apo shkaqe të tjera, shpjegon për shikuesit e emisionit të mëngjesit “Zgjohu me MCN” mjekja e përgjithshme Eleni Panxhi.
Lodhja e vazhdueshme edhe pas një gjumi të plotë, rënia masive e flokëve, marramendja dhe mungesa e energjisë nuk janë simptoma normale dhe nuk duhet të neglizhohen, pasi mund të tregojnë mungesë hekuri, veçanërisht te vajzat, për shkak të humbjes mujore gjatë ciklit menstrual.
Mjekja thekson se mungesa e vitaminës D është ndër më të shpeshtat dhe mund të shkaktojë lodhje të vazhdueshme, humbje energjie, ankth, dhimbje të kockave dhe muskujve.
Unë rekomandoj që vitamina D të merret periodikisht, çdo 3 muaj, gjithmonë në konsultim me mjekun.
Po ashtu, vitamina C luan rol të rëndësishëm në forcimin e imunitetit, pasi është antioksidant dhe mbron qelizat nga dëmtimet. Konsumimi i specave të kuq dhe ushqimeve të pasura me vitaminë C është i domosdoshëm.
Mungesa e vitaminës B12 shfaqet me thonj të brishtë, dobësim të imunitetit dhe dhimbje muskulare. Ajo gjendet kryesisht në ushqimet e detit dhe produktet e bulmetit.
Vitamina E ndikon në shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve, duke ndihmuar në rigjenerimin e qelizave, ndërsa vitamina B6 lidhet drejtpërdrejt me nivelin e energjisë në organizëm.
Omega 3 konsiderohet një nga suplementet më esenciale dhe rekomandohet të merret për 3–6 muaj, veçanërisht pas moshës 25 vjeç.
Ndërkohë, mungesa e magnezit shfaqet me dhimbje muskulare, ngërçe nervore, probleme me gjumin, stres dhe ankth.
Mjekja Panxhi këshillon që vitaminat dhe suplementet të merren gjithmonë në mënyrën e duhur dhe në kombinimet e sakta, pasi përthithja e tyre varet nga mënyra e konsumit dhe nga këshillimi profesional.



