
Autoritetet iraniane kanë dhënë një dënim shtesë me gjashtë muaj burg ndaj fitueses së çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi.
Koalicioni i Lirë “Narges” tha në një deklaratë se Mohammadi u dënua më 19 tetor me gjashtë muaj burg shtesë me akuzën e “mosbindjes dhe rezistencës ndaj urdhrave”.
Sipas deklaratës, akuza u ngrit pasi Mohammadi organizoi një protestë kundër ekzekutimit të një të burgosuri tjetër politik në repartin e grave të burgut Evin më 6 gusht.
Mohammadi është gruaja e 19-të që fiton çmimin Nobel për Paqe dhe gruaja e dytë iraniane pas aktivistes së të drejtave të njeriut Shirin Ebadi në 2003.
Mohammadi, 52 vjeçe, e ka vazhduar aktivizmin e saj pavarësisht arrestimeve të shumta nga autoritetet iraniane dhe vitesh të kaluara pas hekurave.
Ajo po mbahet në burgun famëkeq Evin të Iranit, ku strehohen të burgosur politikë dhe ata me lidhje perëndimore. Ajo kishte vuajtur një dënim prej 30 muajsh, të cilit në janar iu shtuan edhe 15 muaj të tjerë.
Urdhri i fundit pasqyron zemërimin e teokracisë iraniane që asaj iu dha çmimi Nobel në tetor 2023 për vite të tëra aktivizmi, pavarësisht nga një fushatë e gjatë dekadash e qeverisë që e synonte atë.
Mohammadi ishte një shtysë kryesore për protestat mbarëkombëtare, të udhëhequra nga gratë, të shkaktuara nga vdekja vitin e kaluar e një 22-vjeçareje në paraburgim, që janë shndërruar në një nga sfidat më intensive për qeverinë teokratike të Iranit.
Mahsa Amini, ishte arrestuar pasi dyshohej se nuk mbante shaminë e siç duhet.



