
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Qereku i Krujës, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në fokus të konferencës ka qenë mbështetja e dhënë nga vetë von der Leyen, për procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit dhe ndihma që KE ka dhënë disa vite për rekomandimet pozitive për çeljen e negociatave të Shqipërisë.
“Mirëdita të gjithëve, sot mikpresim me kënaqësi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një moment të rëndësishëm për ecurinë e Shqipërisë në BE, por edhe për sfidat e përbashkëta të njerëzimit dhe të vetë bashkësive brenda Europës, siç është lufta me pandeminë, beteja me ndryshimet klimaterike, që kanë sjellë të reja të padëshiruara në mjedisin ku jetojmë, çka i kemi parë me zjarret. Ndërkohë dhe për faktin e lajmit të mirë brenda këtyre vështirësive është lajmi i përmirësimit të kushteve të të gjithë atyre familjeve që u goditën nga tërmeti.
Sot besoj se ata e shohin me sytë e tyre se rindërtimi po sjell një cilësi të re në jetën e tyre. Rindërtimi po vazhdon dhe hap pas hapi po mbyllim të gjitha plagët e asaj tragjedie. Këtu dua të them se kjo nuk është një nga vizitat protokollare të një prej figurave më të larta në BE, por është vizita e një gruaje për ta vënë të gjithë kapacitetin eKkomisionit Eutropian në dobi të atyre familjeve që dolën të goditur nga tërmeti.
Për këtë arsye Presidentes i takon një falenderim vëllazëror dhe thellësisht i sinqertë për gjithçka ka bërë që prej marrjes së lajmit të parë për rënien e tërmetit.
Është vendosur në lëvizje dhe nuk ka reshtur kur është kurorëzuar përpjekja personale, së bashku me të tjerë udhëheqës në Evropë, për t’ia dalë me sukses të një konference donatorësh që është historike për nga shpejtësia dhe volumi i angazhimeve të mbledhura aty.
Kjo nuk ka ndalur, por ka vazhduar me angazhimin e presidentes. Ja ku jemi sot këtu. Kjo është një prej 16 shkollave të ndërtuara me fondet e konferencës dhe posaçërisht nga fondi i dhurimit të KE, kjo është faktikisht një e katërta e shkollave që do të ndërtohen dhe janë në proces ndërtimi.
Kështu që, këtu jemi në një vend që është një dëshmi e gjallë e solidaritetit, e frymës së bashkëpunimit, miqësisë dhe vërtetësisë së kësaj marrëdhënieje me BE. Kjo është një arsye e dukshme, e prekshme, konkrete për të mos e humbur durimin me BE, që është njëkohësisht një forcë e madhe pozitive në shërbim të njerëzve, shoqërive, që bëjnë pjesë në këtë kontinent të bekuar.
Kemi folur gjithashtu për situatën absurde në të cilën ndodhet Shqipëria. Komisioni Evropian ka disa vite që jep rekomandime pozitive për Shqipërinë por problemi qëndron te Këshilli Evropian dhe shtetet anëtare si bllokada që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi fillimisht se hapja e negociatave e Bashkimit Evropian me Shqipërinë, është një borxh që unioni ka ndaj të ardhmes së Shqipërisë, kryesisht ndaj të rinjve.
Faleminderit, vij si mike. Më la shumë mbresa, takova fëmijët, do të doja që fëmijët e mi të shkonin në një shkollë të tillë. Ky është simbol i miqësisë dhe të ardhmes sonë të ardhme në BE. E kemi bërë të qartë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Unë i qëndroj mendimit se Shqipëria i ka kryer detyrat. Ka qenë rrugë e gjatë dhe tani jemi ne ata që duhet të bëjmë pjesën tonë dhe duhet ta bëjmë këtë gjë. E dimë që është borxhi që ne i kemi rinisë shqiptarë që besojnë tek BE dhe e shikojnë vetën si qytetarë të ardhshëm të BE", tha Von der Lyen .
Presidentja e KE, pranoj se synimi i saj është që brenda këtij viti të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për BE dhe Shqipërinë.
"Ne kemi punuar fort për çeljen e kësaj konference të parë qeveritare dhe ritheksoj se ju i keni bërë detyrat tuaja. Ne do të bëjmë gjithçka që të kërcejmë ato vështirësi e pengesa. Shpresoj që ne të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare para fundit të 2021. Ky është synimi im", tha ajo.
Der Leyen, poashtu bëri të ditur se BE do të investojë këtë vit 600 mln euro.
‘Kemi vënë në tryezë 9 mld euro. Ju jeni ata që bëni propozime për projekte në mënyrë që ne të arrijmë dhe të sjellim më shumë se 20 mld të tjera investime. Tanimë kemi investuar 500 mld euro, e kam kënaqësinë të them se do të investojmë edhe 600 të tjera. 'Po bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të krijuar vende pune dhe për të lidhur rajonin. - tha presidentja e KE-së
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama, shprehu skepticizmin e tij përkitazi me faktin se mbajtja e konferencës ndërqeveritare disa herë nuk ka marrë dritën jeshile, për të cilën tha se për objektivin e Presidentës nuk mund të verë bast.
Figurativisht, Rama u shpreh se Shqipëria disa herë është bërë gati për dasmë, (për futjen në BE) por nuk i kanë ardhur krushqit.
“Objektivi i Presidentes është që para përfundimit të vitit të kryhet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare, ku Shqipëria të filloje normalisht negociatat. Ky është objektivi i presidentes. Sa më takon mua, unë e kam thënë dhe them. Nuk vë më bast për asnjë datë dhe asnjë fat dhe pres me qetësi si në rastin kur ndodh edhe në rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatituri për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Ne i bëjmë me vepra deklaratat e dashurisë, por se kur ndodh dasma e kanë në dorë krushqit.
Është qartë. Ne kemi në dorë të bëjmë vetëm punën tonë. Punën tonë e bëjmë jo se na i imponon BE, por sepse na i i imponon e ardhmja e fëmijëve tanë. Jemi me fat që gjendemi në mes të Evropës. Është bekim për fëmijët tanë që linden dhe rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur na ndan nga hapësira më e mirë që njerëzimi ka organizuar për paqen dhe sigurinë.
Kur e do dikë e do, nuk ke se çfarë bën. Nuk i bën presion që ose hajde me merr tani ose unë do iki me tjetrën. Nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi në dashuri me BE, këta janë lodhur nga dashuria me njëri-tjetrin dhe thonë do rrimë ne të marrim edhe një tjetër dhe çdo ndodhë më te. Sa ta kalojnë këtë fazë do na përqafojnë dhe do jetojmë të lumtur në të ardhmen”, tha Rama.
Von der Leyen mori pjesë më herët në inagurimin e shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë, e cila është ndërtuar me fondet e BE-së në kuadër të programit “EU4Schools” pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit 2019.



