
Mbi 10 milionë euro janë grabitur këtë të martë rreth orës 15 teksa ishin ngarkuar në avionin e linjës Austria Airlines në aeroportin e Rinasit, dhe destinacioni ishte në Vjenë. Grabitësit janë përplasur me policinë, madje edhe kanë shkëmbyer zjarr. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i vrarë njëri prej autorëve, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Ndërkohë që policia deri tani ka shoqëruar rreth 40 persona, dhe ka lëshuar 4 urdhra arresti.
Burime për TemA TV, pohojnë se paraprakisht dyshohet se paratë i përkisnin bankës së nivelit të dytë “Raiffaisen Bank”. Të kontaktuar nga Tema TV, banka në fjalë nuk i ka hedhur poshtë këto dyshime. Banka e nivelit të dytë është e siguruar pranë kompanisë së sigurimeve “Sigal, Uniqa Group Austria”. I kontaktuar nga Tema TV, administratori i kompanisë, Avni Ponari, ka deklaruar se bankat e nivelit të dytë janë të siguruara. Por ai shtoi se parat e vjedhura nëse konfirmohet se janë të Raiffaisen, janë të siguruara, por gjithçka do të varet nga rezultatet e hetimit. Sipas Ponarit, përgjegjësitë do të ndahen mes aeroportit dhe kompanive Cargo Cash transport.
Kjo është hera e dytë, që grabiten sasi të mëdha parash, në Aeroportin e Rinasit, por ende pa autorë. Tre vite më parë u vodhën 3 milionë euro nga persona të armatosur, ndërsa paratë shoqëroheshin sërish nga e njëjta kompani ‘Nazeri 200’, në bashkëpunim edhe me kompaninë ‘Jaguar’.



