
Gazetar Mariglen Kume tha në studion e MCN Live se është ende herët për të nxjerrë një përfundim në lidhje me protestën e opozitës në Strasburg, duke qenë se deri më tani ata kanë pasur vetëm një takim në Bruksel ku kanë shprehur pretendimet e tyre. Sipas Kumes, deputetët do të flasin në Bruskel edhe për faktin se kanë dy liderët e tyre nën arrest.
Kanë pasur vetëm një takim, ku kanë shprehur pretendimet e tyre. Ata pretendojnë se po përndiqen politikisht, pretendojnë se drejtësia po kontrollohet nga mazhoranca, përmendën dënimin e Salianjit.
Pjesa tjetër do të jenë hallet e tyre të brendshme, jo përçarjet, por për faktin se dy liderët i kanë nën arrest ndërkohë që jemi 6 muaj. Nuk dihet se në çfarë gremine elektorale do të futen.
Më tej Kume tha se deputetët e opozitës janë të demotivuar.
Janë ditët më të zeza në këtë 34-vjeçar. Me dy liderë të arrestuar, që nuk do mund të udhëheqin fushatën ata janë të demotivuar. Dhe deputetët aktual po të flasësh me ta, ngrënë supet.
I ndalur tek arrestimi i Metës, Kume tha se në dosje dalin shumë emra, por gjithçka mbetet në formë deklarative.
Sipas Kumes e gjithë dosja është e fokusuar tek telefoni i sekuestruar i Monika Kryemadhit.
Për Metën nuk pashë që të kishte njerëz ditën që u arrestua përveç funksionarëve. Shumë prej tyre nuk afroheshin as te drejtoria e policisë. Në seli ishin një numër i vogël.
Ajo çfarë ngriti opinionin publik dhe iu kthye boomerang ishte vetëm mënyra e arrestimit, duke qenë se Meta ka mbajtur postet më të larta të shtetit.
Kam lexuar treçerekun e dosjes së zotit Meta. Në dosje dalin shumë emra, por gjithçka mbetet në formë deklarative dhe e gjithë dosja është fokusuar tek telefoni i sekuestruar i Monika Kryemadhit.
Përveç se dalin shumë emra, mua nuk më duket se implikohet dikush. Ishte Kryemadhi me një pronar mediash dhe i thoshte Xhixhos ‘ma zgjidh pak këtë problemin’, por nuk kishte asnjë fakt për dhënie parash, dhënie ryshfeti.



