Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
Aktakuza ndaj Thaçit është konfirmuar më 5 nëntor.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka thënë se në aktakuzën për Thaçin janë gjashtë pika kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte.
“Në lidhje me këto krime, akuzohet z.Thaçi se është përgjegjës për kryerjen si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët. Duke qenë i vetëdijshëm se këto krime mund të kryheshin gjatë zbatimit të ndërmarrjes kriminale dhe e ka marrë këtë vendim me vullnet të lire. Gjithashtu dhe në alternativë ekziston dyshimi se z.Thaçi akuzohet si epror për këto krime. Zoti Thaçi, sot nuk është koha të kontestoni akuzat, por thjesht të thoni i kuptoni akuzat. A i kuptuat akuzat?".
Gjykatësi Nicolas Guillou i ka thënë Thaçit paraprakisht se sot s’është koha që t’i kontestojë akuzat ndaj tij.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij.
“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, tha prerazi Thaçi. “I nderuar gjykatës, aktakuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, ka deklaruar sërishThaçi.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, ka pasur disa kritika për praktikat e Gjykatës Speciale qysh në fillim të seancës së parë ndaj tij.
Ai ka thënë se për shkak të mos kryerjes së detyrave si duhet nga Specialja, sot nuk kanë mundur të paraqiten me ekipin e plotë të avokatëve.
“Është me keqardhje që them se ky proces është realizuar pa e njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur. Unë ju premtoj se do të bashkëpunojë me gjykatën ashtu siç bëri Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve dhe gjatë [periudhës së themelimit të kësaj gjykate. Gjykata po e heton këtë çështje për pesë vjet e më shumë, dhe ju e keni aktakuzën së paku para gjashtë muajsh. Ne për herë të parë mësuam për këtë çështje për realizimin e tyre, të mërkurën ose të enjten. Nuk ishte e mundur që të themelohet një trupë mbrojtëse. Për këtë shkak shumë njerëz që kishin dashur të ishin këtu nuk janë”, tha ai.
Përveç Hashim Thaçit, Specialja ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj tre pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit.
Në aktakuzën e konfirmuar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.



