Ish-deputeti i PD Belind Këlliçi duke folur në emisionin “Të Paekspozuarit” solli një tjetër denoncim ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Këlliçi tha se e ka të faktuar me dokumente dhe email-e që Veliaj ka paguar 5,6 milionë euro për llogari të Bashkisë Kamëz, lidhur me depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Këlliçi tha se kjo bie ndesh me deklaratat e Veliajt, që ai është thjesht një nga 5 bashkitë kliente në raport me inceneratorin.

"Përveç se kemi denoncuar dy administratorë të Zall Herrit dhe Dajtit, Maloku dhe Qefalia, të dy së bashku kanë përfituar 130 milionë euro tendera dhe leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që ishin në detyrë përmes kompanive të familjarëve të tyre. Denoncimi më i ri është ai që ka të bëjë me faktin që nga viti 2019 deri në 2023, Bashkia e Tiranës, të cilën Veliaj e konsideron kliente të inceneratorit, ka paguar edhe për depozitimin e mbetjeve të Bashkisë Kamëz, në landfillin e Sharrës. Në vitin 2018 Bashkia e Kamzës ka nënshkruar një kontratë koncesionare për 12 vite me një kompani private, Alko Impex, për pastrimin e qytetit dhe depozitimin e mbetjeve. Nga 2019-ta deri në vitin 2023, për 195 mijë ton në total, vlerën që duhet ta paguante Kamza, e ka paguar Bashkia e Tiranës. Veliaj s’është thjesht klient, këtë e kemi faktuar me një sërë email-esh autentike që nisin që në vitin 2019. Drejtori që sot është në burg Simixhiu i shkruan përfaqësues së kompanisë së Klodian Zotos. I vjen një përgjigje nga Klodian Zoto, dhe i thotë që u komunikua me bashkinë dhe ky mjet s’do lejohet të hyjë. Taulant Tushe drejtori i përgjithshëm i Punëve Publike në bashki, i shkruan Inceneratorit të Tiranës, ku i kërkon që Bashkia Kamëz të marrë përsipër detyrimet për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Elton Bualli, një nga titullarët e inceneratorit, kthen një përgjigje dhe thotë që rakordimi të mos mbyllet ende, deri sa të mbyllen disa takime. Nuk i mjaftoi shkresa zyrtare e Taulant Tushes. Niveli më i lart se Tushe ka qenë Veliaj. Këtë të na sqarojë SPAK-u, kush ka qenë niveli më i lartë se Tushe që ka dhënë këtë urdhër. Bashkia Tiranë paguan 6 milionë dollarë për llogari të Bashkisë Kamëz. Do bëj publike nesër dokumentet zyrtare dhe email-et. Janë paguar 5,6 milionë euro pa TVSH. Kjo bie ndesh me atë që Veliaj ka thënë, që jam vetëm një klient te inceneratori”.



