
Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit Turk ka vënë në shënjestër televizionet e njohura si opozitare në vend: Tele 1, Fox, Halk dhe Flash Haber pas komenteve të bëra nga disa prej të ftuarve të tyre gjatë periudhës zgjedhore, të konsideruara si të njëanshme.
Sipas argumentimit të këtij Këshilli, ndaj këtyre televizioneve do ketë gjoba që do të përcaktohen në bazë të fitimit të deklaruar të televizioneve nga reklamat.
Sindikata e gazetarëve doli në një komunikatë kundër këtij vendimi.
“Kjo është një shkelje e papranueshme e të drejtës së publikut për t'u informuar. Kjo e ka transformuar autoritetin rregullator në një mjet të qeverisë për t’i mbyllur gojën opozitën dhe atyre që e kritikojnë atë".
Reporterët pa kufi në Turqi kanë deklaruar herë pas here se mediat opozitare në vend shpesh janë në fokus të sulmeve të drejtuara nga qeveria në vend.
Po sipas të dhënave të Reporterëve pa Kufi gjatë fushatës zgjedhore në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan - i cili u rizgjodh për një mandat të ri pesë-vjeçar më 28 maj – pati gjashtëdhjetë herë më shumë hapësirë televizive krahasuar me kandidatin e opozitës në të gjithë rrjetet televizive turke.



