
Ish-kampione noti, atletike dhe çikliste, Deborah Keçi ka rrëfyer për shikuesit e programit “Zgjohu me MCN” se si sporti dhe pasioni për aventurat ekstremë ndikojnë në çdo aspekt të jetës së saj.
E pasionuar pas udhëtimeve me sfida dhe aventurave ekstreme nëpër botë, Keçi shpjegon se të sfidosh veten dhe të bësh gjërat e vështira me pasion të bën të mos kesh frikë dhe të ndjehesh e lirë.
Jam hedhur nga 210 metra lartësi dhe ndjej një liri që nuk përshkruhet me fjalë.
Kur njeriu nuk ka frikë, ai është i lirë. Nuk dua të them se kjo është lumturi e zakonshme, por ia vlen të provosh gjëra të reja, unë jetoj për këtë.
Unë gjithmonë kërkoj të dalë jashtë zonës së saj të komfortit. Para pak kohësh, kam provuar ‘skydiving’ me instruktor dhe mendoj se përderisa ti aty je me një instruktor që të ndihmon të hidhesh dhe je rehat, kurse në raste te tjera, iniciativën për tu hedhur duhet ta mbash vet.
Para disa muajsh, ngjita kampin bazë të Everestit, në një udhëtim 12-ditor deri në 5,300 metra lartësi, një eksperiencë aq sfiduese, por edhe emocionuese. Kur shkon aty, ndjenja e vetme është ‘unë dua të ngjitem lart’. Arrita në Base Camp dhe ndjesia ishte e mrekullueshme.
Keçi thekson se për të, këto udhëtime dhe sfida nuk janë të kushtueshme në kuptimin material, sepse bëhen nga pasioni.
Unë i gëzohem ecjeve të gjata, hiking-un dhe akomodimin në tenda, duke u fokusuar te natyra dhe eksperienca e vetë udhëtimit.
Unë nuk e kam lënë notin. Kam qenë notare garash të shpejta. Qëllimet e mia janë të mbyll 1 orë e 15 minuta not, 180 km biçikletë për 6 orë dhe 42 km vrapim për 4 orë. Është disiplinë e vështirë, por çdo gjë që bëj, e bëj nga pasioni.
Sporti duhet të bëhet pjesë e rutinës, jo vetëm për një muaj apo dy, por si stil jete.
Njeriu duhet të gjejë atë gjë që e bën të lumtur dhe ta shijojë. Kur e bën nga pasioni, nuk është luks, është liri.



