Presidenti i Kosovës pavarësisht këmbënguljes së tij për të hequr tarifat doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ka vendosur të ndryshojë qëndrim.
Në një intervistë për gazetën më të madhe spanjolle “La Vanguardia”, kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi teksa është pyetur për thirrjet e vazhdueshme të SHBA-së, për heqjen e taksës 100% nga ana e autoriteteve kosovare, si një mënyrë për të çuar tutje dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, thotë se dialogu duhet të vijojë pa kushte. Sipas tij, ai nuk duhet të kushtëzohet nga asnjëra palë, porse vendimin e qeverisë së Kosovës për tarifat e sheh si një vendim të një shteti sovran dhe legjitim.
“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte nga ana e Serbisë, sepse një dialog vërtet ka kuptim kur ai nuk është i kushtëzuar nga asnjë pjesë. Ky dialog nuk duhet të pengohet nga askush. Tarifat janë vendim i një shteti sovran, ato janë të drejta, legjitime dhe nuk do të anulohen, dhe duhet të respektohen. Këto tarifa nuk duhet të shërbejnë si një justifikim për Serbinë që të mos marrë pjesë, sepse vetëm përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje reciproke, një marrëveshje ligjërisht detyruese dhe një marrëveshje që mbyll të gjitha çështjet në pritje midis Kosovës dhe Serbisë”.
Pavarësisht deklarimeve për një Shqipëri të madhe, presidenti Thaçi thotë se nocioni “ndryshimi i kufijvve” nuk është përdorur në kontekstin gjeografik, porse i referohet një qasje evropiane.
“Ne nuk duam ndryshim të kufijve, por hapje sipas modelit evropian, një model me kufij të hapur nën ombrellën euroatlantike. Ne nuk do të biem në grackën e Serbisë që flet për Shqipërinë e Madhe apo Kosovën të madhe. Kosova është një vend Sovran”.
E ndërsa ka kërkuar njohjen e pavarësisë së shtetit të tij nga Spanja, presidenti Hashim Thaçi thotë se nuk duhen hequr paralele mes rastit të Katalunjas dhe Kosovës, pasi sipas tij bëhet fjalë për dy raste të ndryshme.



