Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar ditën e djeshme me 4 vite e 8 muaj burg biznesmenin Elman Abule, në kuadër të një fraksioni të ndarë nga dosja "Veliaj", ndërsa ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Fatmir Bektashi.
Lidhur me këtë vendim të shkallës së parë dhe ndikimin që ai mund të ketë në ecurinë e çështjes kryesore, avokati Alban Duraj në MCN TV sqaroi arsyen procedurale se pse kjo pjesë e dosjes u nda nga organi i akuzës dhe u shqyrtua veçmas, duke sjellë edhe uljen e masës së dënimit për të pandehurit.
Kemi një fraksion të ndarë për këtë gjykim nga Prokuroria e Posaçme, e cila i ka futur së bashku në hetim fillimisht, por duke qenë se dje është dhënë vendimi, e ka ndarë më vete. Arsyeja pse ka dalë më vete dhe janë gjykuar veçmas është se të gjithë këta shtetas kanë kërkuar të gjykohen me gjykim të shkurtuar, me aktet që i ka vendosur në dispozicion organi i akuzës. Në momentin që një i pandehur apo të pandehurit kërkojnë gjykim të shkurtuar, automatikisht përfitojnë zbritjen me 1/3 e dënimit, edhe nëse shpallen fajtorë.
Duke analizuar lidhjen mes këtij fraksioni dhe çështjes kryesore të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, avokati ngriti pikëpyetje mbi cilësinë e hetimeve të SPAK-ut, por theksoi se ndikimi real do të matet vetëm pas vendimit të Apelit.
Lidhur me çështjen tjetër, duke qenë se këto çështje janë të ndërlidhura, ajo që shikoj sa i përket akuzës nuk është ajo që ka çuar organi i akuzës. Ka mungesë të hetimeve të drejta dhe të paanshme. Rrezikohet pozita e Xoxës, pasi ka pasur kontakte me këto subjekte. Kjo është njëlloj strategjie që kanë zgjedhur Xoxa dhe Veliaj për ta veçuar çështjen, ndërkohë që mbetet për t'u parë se çfarë zhvillimesh do të ketë, sepse Veliaj nuk ka bërë ende asnjë seancë në themel. Besoj se do të ketë një ndikim, por jo ky vendim i shkallës së parë, por vendimi që do të japë Gjykata e Apelit.
